Jonuz Musliu vendos sërish flamurin në Dobrosin
Jonuz Musliu nuk ka qëndruar duarkryq përballë provokimeve që bënë një ditë më parët zyrtarët e lartë serbë, të cilët e kishin hequr flamurin kombëtar shqiptar nga varrezat e dëshmorëve në Dobrosin.
Musliu, i shoqëruar edhe nga bashkëluftëtarët dhe Shoqata e Veteranëve të Luftës, tha për rajonipress se në mesditë ka shkuar vet në Dobrosin dhe bashkërisht kanë vendosur sërish flamurin në vendin e mëparshëm. “Ai flamur është i shenjtë për popullatën e Luginës së Preshevës dhe për vetë banorët e fshatit Dobrosin. Por mbi të gjitha është i shenjtë për dëshmorët dhe të rënët e luftës së UÇPBM-së”, tha Musliu, raporton Koha.
Musliu tha se flamuri do të mbrohet në të gjitha variantet e provokimeve serbe. “Ne kemi të drejtë të ruajmë dhe të shprehim emocionet tona kombëtare e patriotike. Kemi të drejtë edhe të ngremë lapidarë e përmendore. Këtë nuk e bëjmë për të provokuar dikë, por për të përkujtuar se aty është derdhur gjak dhe është luftuar me forca terroriste e pushtuese”, tha Musliu.