Takimi i 17 janari, s’do të ketë rezultate konkrete
Takimi i 17 janarit në mes të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, nuk do të sjellë ndonjë rezultat konkret, sepse në këtë takim do të bisedohet vetëm për implementimin e pakos së Ahtisarit rreth veriut.
Nga takimi i parë nuk presim ndonjë rezultat konkret, por bisedimet do të vazhdojnë. Këto komente i ka bërë numri një i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij që të mërkurën i ka bërë Mitrovicës.
Ai ka theksuar se në takimin e 17 janarit që do të ndodhë mes dy kryeministrave, atij të Serbisë dhe Kosovës, do të bisedohet për integrimin e qytetarëve të veriut të vendit në institucionet e Kosovës si dhe jetën politike e institucionale të vendit.
“Është në të mirë të vetë banorëve të veriut të Mitrovicës dhe Kosovës, por edhe të rajonit, që ata të kuptojnë sa më shpejt se e vetmja zgjidhje për ta, dhe më e mira, është implementimi i pakos së Ahtisarit dhe integrimi i tyre në institucionet e Kosovës”, ka thënë mes tjerash Haradinaj.
Ai gjatë vizitës është pritur nga një numër i qytetarëve të cilët i kanë dëshiruar mirëseardhje në Mitrovicë, pas kthimit nga Haga.
Haradinaj ka vënë kurora lulesh tek shtatoret e dëshmorëve “Mehë Uka” dhe “Isa Boletinit”, ndërsa gjatë shëtisë nëpër qytet, ka biseduar me shumë qytetarë dhe kalimtarë të rastit.