Në janar, ambasadori në Beograd
Përfaqësuesi i Kosovës në Beograd do të emërohet gjatë janarit. Këtë e bëri të ditur për Radio Dukagjinin, shefi i diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj. Sipas ministrit Hoxhaj, në vazhdë janë konsultat e brendshme për ta gjetur përfaqësimin më të mirë. Përfaqësuesi ynë në Serbi do të jetë i rangut të ambasadorëve dhe njeri që njeh situatën dhe kulturën politike në këtë vend. Ai do të bëj jetë aktive diplomatike dhe do të ketë agjendë të mirëfilltë prej ambasadori, ka precizuar Hoxhaj.
“Ky njeri do t’i ketë të gjitha privilegjet dhe imunitetet sikurse çdo diplomat tjetër në Serbi, ndërsa po ashtu, Republika e Kosovës e mirëpret përfaqësuesin e Serbisë në kryeqytetin tonë, në Prishtinë. Ministria e Punëve të Jashtme do t’ia ofroj tretmanin e njëjtë sikurse e kanë ambasadorët e të gjitha vendeve të akredituara në Kosovë”, ka thënë Hoxhaj.
Kreu i diplomacisë kosovare,Hoxhaj ,vitin që e lamë pas e vlerësoi të suksesshëm me realizim të objektivave të përcaktuara, ndërsa njohjen më të rëndësishme në 2012, e konsideron atë nga Pakistani.
Ministri Hoxhaj pret që në javët e para të vitit të ri 2013 të bëhen publike vendimet për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga disa shtete që këtë e kishin premtuar.
Ani se viti 2012 për ministrin Hoxhaj ishte i suksesshëm, lajm jo shumë motivues për vendin ai i sheh konkluzat e Këshillit të Evropës për agjendën evropiane të Kosovës, nga java e parë e dhjetorit.
Ndryshe, ministri Hoxhaj pret që në pesë vjetorin e pavarësisë, Republika e Kosovës ta arrijë numrin prej 100 njohjeve./Dukagjini.com