Dikur armiq e tani në tavolinën e bisedimeve
Njëri ish shef i Shtabit të Përgjithshëm të Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e tjetri zëdhënës i Partisë Socialiste të Sllobodan Millosheviqit që po e luftonte me të gjitha mjetet pikërisht këtë formacion ushtarak.
Tani të dy kryeministra.
Hashim Thaçi kryeministër i Kosovës, kurse Ivica Daçiq, kryeministër i Serbisë.
Të ndodhur para një trysnie diplomatike ndërkombëtare ata kanë realizuar tashmë tri takime të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.
Për analistët e çështjeve politike këto takime shihen si nisje e një epoke të re në marrëdhëniet ndërmjet dyja vendeve. Por, ata nuk presin që Serbia të ndryshoj pozicionin karshi shtetit të Kosovës.
Drejtori i Institutit KIPRED, Ilir Deda, thotë se takimet Thaçi – Daçiq, deri më tani e kanë përshpejtuar vendimmarrjen në lidhje me zbatimin e rezultateve të dialogut paraprak në nivelin teknik, transmeton REL.
​​“Do të jetë shumë me rëndësi se sa shpejt do të arrijnë t’i përfundojnë temat të cilat BE-ja pret që të përmbyllen gjatë janarit, shkurtit dhe marsit të vitit 2013. Këtu edhe do të testohet kjo aftësi e shpejtë vendimmarrëse e cila duhet të përcillet edhe me një retorikë e cila e ka mesazh më të fortë normalizimin e marrëdhënieve”, theskon Deda.
Bisedimet janë gjithmonë zgjidhje më e mirë sesa konfliktet, thotë në anën tjetër analisti dhe publicisti Halil Matoshi.
Ai pret që të paktën për marrëveshjet e arritura në nivelin teknik, Thaçi e Daçiq të pajtohen që ato të zbatohen muajt në vijim, pasi që Serbia nuk dëshiron ta humb edhe një rast për marrjen e statusit të vendit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq sa i përket Kosovës, Matoshi si dobi nga këto bisedime e sheh shmangien e konfliktit në veri.
“Agjenda integruese e Brukselit jo që e ka ndihmuar shumë Kosovën, mirëpo si do kudo është shmangur besoj, konflikti i hapur për veriun e Kosovës dhe në një mënyrë, de jure, do të thotë në letër, është ruajtur integriteti territorial i Kosovës”, vlerëson Matoshi.
Ndërsa për marrëveshjet e deritashme, Bashkimi Evropian ka toleruar Prishtinën dhe Beogradin që të bëjnë interpretime të dyfishta apo sipas qejfeve të tyre, një perceptim i tillë nuk do të kishte efekt nëse mëtohet të arrihet deri te një normalizim i marrëdhënieve midis dyja vendeve thotë Ilir Deda.
Ai pret që edhe BE-ja të jetë më e qartë në lidhje me temat që po i shtron në tavolinën e bisedimeve.
“Është shumë me rëndësi të shihet se si do të ecet përpara me temat në energjetike, tërheqjen e strukturave paralele të Serbisë nga veriu si dhe financimi i institucioneve tjera paralele serbe në veri dhe në pjesë tjera të Kosovës dhe të njëjtën kohë të shihet se si mund të përshpejtohet zbardhja e fatit të personave të pagjetur. Këto janë ato testet që do të tregojnë se a do të ketë përshpejtim në vendimmarrje dhe sa e shpejtë do të jetë kjo vendimmarrje”, ka thënë Deda.
Marrë parasysh interesin politik që ka sidomos Serbia për procesin integrues evropian, Halil Matoshi pret që ky dialog i nisur në nivelin politik të përmbyllet me një rezultat, qoftë edhe marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, por e cila nuk do të nënkuptonte njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.