Kalo te lënda

EULEX-i si UNMIK-u

f_0101152426806_mInstitucionet e Kosovës gabuan kur miratuan kërkesën e EULEX-it për vazhdim të mandatit, me ç’rast këtij misioni ia mundësuan mandatin ekzekutiv. Kosova ka nevojë për këtë mision, por vetëm sa i përket monitorimit të punës së institucioneve tona. Këtë besim të dhënë, EULEX-i po e keqpërdor duke bërë arrestime, persekutime, akuza dhe burgosje ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, pa kurrfarë baze dhe dëshmie, prandaj për OVL-në ky misin është i papranueshëm.

Kështu ka thënë kryetari i OVL-së, së UÇK-së, Muharrem Xhemajli në një intervistë për “Kosovapress”.

I pari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Muharrem Xhemajli, ka kritikuar Institucionet e Republikës së Kosovës, edhe për faktin që sipas tij, nuk po bëjnë mjaftë për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, ngase ende nuk është miratuar ligji i cili do të mbronte pjesëmarrësit e luftës.

“Ky është një gabim i madh i institucioneve të vendit sepse ne po tregojmë se nuk jemi të aftë, me vet faktin që kemi kërkuar që dikush tjetër të vijë dhe të na i rregullon punët tona brenda shtëpisë sonë, atëherë ne tregojmë se nuk jemi të aftë për ta mbrojtur dhe krijuar shtetin. Kjo është një e metë e jona në përgjithësi dhe e vendit. Nuk mund të themi që institucionet e vendit kanë bërë mjaftë për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, me vet faktin që ende ligji për vlerat e luftës dhe për veteranët e luftës nuk është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Xhemajli ka pohuar se që nga përfundimi i luftës e këtej Organizata e Veteranëve të UÇK-së brengën më të madhe e ka pasur me arrestimet dhe akuzat e padrejta që u janë bërë atyre.

Sipas tij, këto akuza, përndjekje dhe arrestime, e deri në vuajtje të burgut kanë qenë të motivuara politikisht, njëherë prej UNMIK-ut e tani edhe prej EULEX-it, e të cilat bëhen me dëshmi të montuara, false e të marra nga pushteti i Serbisë.

“Për neve këto kanë qenë arrestime të motivuara politikisht, njëherë prej UNMIK-ut e tani edhe prej EULEX-it të cilat bëhen me dëshmi të montuara, false dhe dëshmi të marra nga pushteti i Serbisë, pushtet i cili ka bërë gjenocid dhe krime në Kosovë. Të gjitha këto ne i konsiderojmë se janë duke u bërë për t’i kënaqur apetitet e Serbisë dhe Beogradit dhe për të bërë një balancim mes luftës çlirimtare dhe gjenocidit të cilin e kanë bërë ushtria dhe policia paramilitare e Serbisë në Kosovë. Kjo është një prapavijë për të arsyetuar punën e vet në Kosovë siç është EULEX-i tani”, ka thënë ai.

Lini një koment