Kalo te lënda

Së shpejti vijnë ditë të mira për Mitrovicën

015912550_40100-645x394E pranon, se deri më tani, për shkak zhvillimeve politike, ekonomike e të tjera, qytetarët mitrovicas nuk e kanë pasur lehtë, megjithatë, është optimist se ditë të mira së shpejti do të vijnë për Mitrovicën. Këtë optimizëm e ka shprehur i pari i këtij qyteti, Avni Kastrati, gjatë një interviste për Agjencinë e lajmeve Kosovapress, gjatë së cilës ka folur edhe për tema të tjera si; dhuratat e fundvitit, përshtypjet për Parisin, gatimin e të tjera.

Kosovapress: z. Kryetar, a shihni motive për optimizëm nga gjendja aktuale sa i përket Mitrovicës?

Kastrati: Po gjithsesi. Unë mendoj se ditët dhe muajt në vijim do të jenë shumë më të mira për qytetarët e Mitrovicës, për arsye se vërtetë mitrovicasit deri tani janë ballafaquar me sfida shumë të mëdha. Jemi dëshmitarë të rrjedhave pozitive, andaj mendoj se për një kohë relativisht të shkurtër do të fillojnë ditë shumë më të mira për mitrovicasit, se sa kanë qenë deri tani.

Kosovapress: Jeni zgjedhur para pak ditësh edhe kryetar i Partisë Demokratike në Mitrovicë, ndiheni më me përgjegjësi dhe më i fuqishëm tani?

Kastrati: Ju them që vërtetë është privilegj të jesh kryetar i Partisë Demokratike në Mitrovicë, duke marrë parasysh se është partia në pushtet, pastaj më e fuqishme, dhe e cila më së shumti punon për të mirën e qytetarëve të Mitrovicës. Për mua personalisht kjo do të thotë një obligim shtesë, por njëkohësisht edhe një favor, sepse unë me veprimet e mia do të jem shumë më efikas sesa deri tani, ngase rruga e marrjes së disa veprimeve ka me qenë shumë më e shkurtër.

Kosovapress: Jemi në prag të Vitit të Ri, cila është dhurata më e veçantë që do ta dhuroni dhe kujt do t’ia dhuroni?

Kastrati: Shtatorja e Isa Boletinit është dhurata më e veçantë për qytetarët e Mitrovicës të cilën kemi arritur t’ua dhurojmë, pastaj shqiponjën, ndërkohë që krejt në prag të festës, do të provojmë që mitrovicasit t’i gëzojmë edhe me ndonjë suprizë tjetër.

Kosovapress: Po ndonjë dhuratë tjetër më personale, kujt do t’ia dedikoni?

Kastrati: Eh, në këtë moshë, dashuria ndaj nipave më obligon më shumë që atyre t’u dhuroj gjëra më të veçanta.

Kosovapress: Politikanët në përgjithësi, përveç shpirtit dhe mënyrës së të shprehurit, i japin rëndësi të veçantë edhe pamjes së jashtme. Sa është e shtrenjtë garderoba e Avni Kastratit?

Kastrati: Është shumë e lirë. Teshat që tani i kam të veshura kushtojnë 70 euro. Hahahaha…. Mos ta zgjas më tepër…

Kosovapress: Keni lëvizur nëpër shumë qytete të botës, cili nga qytetet ju ka pëlqyer më shumë?

Kastrati: Mendoj se Parisi e ka mrekullinë e vet.

Kosovapress: Për çfarë arsye, nga rregulli, disiplina, arkitektura, dinamika?

Kastrati : Ka nga të gjitha këto bashkë.

Kosovapress: z. Kryetar, cila është mënyra më e mirë sipas jush për të nisur një ditë të re, duke pirë kafe, një puthje, apo një trëndafil i kuq i lëshuar mbi jastëkun e bashkëshortes kur ju të ngriheni?

Kastrati: Hahaha… Dita e mbarë e punës tek unë fillon duke pirë kafenë bashkë me bashkëshorten. I diskutojmë çështjet e ditës dhe vazhdojmë në punë.

Kosovapress: z. Kryetar, është shumë qytetare, dhe ju jeni qytetar, por edhe kryetar i komunës, kam një kureshtje nëse mund të ma thoni, si do ta përgatitnit një tortë apo ëmbëlsirë tjetër për festë?

Kastrati: E keni fjalën për  bashkëshorten time ndoshta?

Kosovapress: Jo, jo, e kam fjalën për ju personalisht.

Kastrati: Hahahahaha…. Kurrë, asnjëherë… E kam problem t’i gjej vezët, enët. Asnjëherë nuk kam përgatitur dhe thjeshtë  nuk di! Hahahaha

Kosovapress: Në fund, cili është mesazhi juaj për qytetarët në prag të Vitit të Ri?

Kastrati: Qytetarëve u dëshiroj shëndet në radhë të parë, suksese dhe gjithë të mirat në jetë.

Kosovapress: Ju faleminderit për kohën që ndatë me ne.

globi-vendore

Lini një koment