Kalo te lënda

Rasti “Kleçka”, proces me shkelje të shumta

KLEQK_6573-645x375Procesi gjyqësor i njohur si rasti “Kleçka” konsiderohet se ka pasur shkelje të mëdha ligjore, duke filluar nga marrja e deklaratave të Agim Zogajt, i njohur si ‘dëshmitari X’ e deri të rikthimi i tij procesi në rigjykim. Kështu mendojnë disa nga avokatët mbrojtës të të pandehurve në këtë rast. Ndonëse mbi bazën e dëshmive të ‘dëshmitarit X’ kishte filluar i tërë ky proces, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, e cila njihet si gjykatë e shkallës së parë, i kishte shpallur si të papranueshme pretendimet si dëshmi të ditarit në fjalë  dhe pas gjykimit të këtij rasti kishte vendosur që t’i lirojë dhjetë të pandehurit e rastit. Por Gjykata Supreme e Kosovës, si gjykatë e shkallës së dytë, kishte vendosur që t’i pranonte dëshmitë e ‘X’-it dhe bashkë me këtë, e ktheu lëndën në rigjykim, e që për avokatët konsiderohet se është bërë shkelje procedurale. Po ashtu, edhe caktimi i masës së paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, për të pandehurit, konsiderohet se është bërë me shkelje procedurale.

Sa i përket rikthimit të lëndës në rigjykim, Tahir Rrecaj, avokat mbrojtës i deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk ka qenë e arsyeshme që Gjykata Supreme ta kthejë këtë çështje në rigjykim, duke thënë se aktvendimi i Gjykatës së Qarkut ka qenë shumë i drejtë, i cili e ka vërtetuar gjendjen faktike.

“Unë mendoj se nuk ka qenë e arsyeshme që çështja të kthehen në rigjykim për shkak se vendimi i Gjykatës së Qarkut i shkallës së parë ka qenë i drejtë që e vërteton gjendjen faktike. Siç e dini, provat e ditarit dhe deklaratat e Agim Zogajt u patën shpallur prova të papranueshme. Sidoqoftë, Gjykata Supreme ka menduar se vendimi dhe aktgjykimi nuk kanë qenë të bazuara në ligj dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim dhe tash duhet të ballafaqohemi me një rishqyrtim të ri gjyqësor”, ka thënë Rrecaj.

Kur kemi të bëjmë me presionet politike ndaj këtij rasti, Rrecaj ka deklaruar se ato kanë ardhur nga Beogradi në drejtim të Brukselit dhe Brukseli më pastaj në drejtim të EULEX-it, kurse për ndikime politike brenda vendit, ai ka thënë se deri më tani nuk ka informacione për një gjë të tillë.

“Presionet politike kanë ardhur nga Beogradi në drejtim të Brukselit dhe nga Brukseli në drejtim të EULEX-it, për shkak se rrethanat e reja që u krijuar me lirimin e Ante Gotovinës dhe bashkëluftëtarit të tij, pastaj lirimi i Ramush Haradinajt. I dini ato kërcënimet nga autoritetet më të larta të Kryeministrit serb, por edhe të Presidentit të Serbisë se nëse do të lirohet edhe Ramush Haradinaj pas lirimit të Ante Gotovinës, Serbia do ta ndërpres bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës. Kjo ka mundur të jetë”, ka thënë ai.

Kurse Fehmije Gashi-Bytyqi, avokate e të pandehurit Arben Krasniqi, ka thënë se shkeljen procedurale e sheh në atë se Gjykata Supreme mori vendimin me të cilin i shpalli si të pranueshme dëshmitë e ‘X’-it dhe ditarët e tij, dhe me këto ajo konsideron se është bërë shkelja e nenit 156, i cili ua mundëson mbrojtësve dhe të pandehurve t’i kundërshtojnë deklaratat e dëshmitarit ‘X’ Agim Zogaj, gjë e cila, sipas saj, nuk u është mundësuar atyre.

“Shkeljen procedurale e shoh duke u bazuar se gjykata e shkallës së dytë – Gjykata Supreme, ka marrë aktvendim me të cilin ka shpallur prova të pranueshme të gjitha dëshmitë e dëshmitarit Agim Zogaj, i njohur si ‘dëshmitari X’ dhe ditarët e tij, mbi të cilat është krijuar krejt kjo çështje penale. Konsideroj se është vërtet shkelje e procedurës, ngase në bazë të nenit 156 duhet që mbrojtësve dhe të pandehurve t’u jepet mundësia t’i kundërshtojnë deklaratat e dëshmitarin në ndonjë fazë. Meqenëse ne kemi marrë pjesë, mirëpo ka qenë koha e limituar dhe nuk ka qenë koha e mjaftueshme që të gjithë mbrojtësit t’i parashtrojnë pyetjet në kuptim të mbrojtjes së klientëve të tyre në ato data që kanë qenë të fiksuara, konsideroj se këtu është një shkelje, mbi të cilat nuk ish dashur që kryetari i trupit gjykues i shkallës së dytë t’i konsideroj ato prova si të pranueshme dhe ta kthejë lëndën në rivendosje”, ka thënë ajo.

Duke marrë parasysh se Gjykata Supreme mori vendim edhe për caktimin e masës së paraburgimit për tetë nga të pandehurit dhe masën e arrestit shtëpiak për dy të tjerët, Gashi-Bytyqi konsideron se edhe në këtë rast janë bërë shkeljet e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (KPPK), pasi që Gjykata Supreme nuk ka pasur arsye që ta merrte një vendim asisoj, sepse dhjetë të pandehurit e këtij rasti çdoherë dhe në çdo kohë u janë përgjigjur ftesave të gjykatës.

“Po ashtu, konsideroj se te masat për sigurime të të pandehurit në procedurë janë bërë shkelje e dispozitave të procedurës penale, sepse me vetë faktin se 10 të pandehurit në këtë çështje penale, në çdo kohë, në çdo seancë u janë përgjigjur ftesave të gjykatës. Kjo është edhe një dëshmi shumë e madhe, shumë reale se për të njëjtit nuk është dashur që në asnjë mënyrë të aplikohet masa e paraburgimit për tetë të pandehurit si dhe masa e arrestit shtëpiak për dy të pandehurit tjerë, ngase masa e paraburgimit dhe masa e arrestin shtëpiak janë një ndër masat më të ashpra, më të renda që quhen edhe sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës për sigurimin e të pandehurit në procedurë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Florin Vërtopi, avokat mbrojtës i të pandehurit Naser Krasniqi, konsideron se shkeljet procedurale në rastin “Kleçka” kanë filluar qysh në shkallën e parë, me marrjen e deklaratave dhe ditarëve të dëshmitarit Agim Zogaj. Ai po ashtu konsideron se ka shkelje procedurale edhe në Gjykatën Supreme, por që së shpejti do të kuptohen ato, duke mos dashur që të flasë më shumë pa e pranuar vendimin nga kjo e fundit.

“Në shkallën e parë kemi pasur shkelje procedurale, në veçanti te dëshmia e dëshmitarit Agim Zogaj, prej fillimit e deri në deklaratën e tij të fundit. Një vendim i shkallës së parë i ka përjashtuar ato dhe i ka veçuar si prova. Edhe në shkallën e dytë – në Gjykatën Supreme ka shkelje, ato do të shihen së shpejti, vetëm po e presim aktvendimin dhe mbi këtë bazë, sipas të gjitha gjasave, mbrojtja nuk do ta lë me aq. Gjasat janë që do t’i përdorim mjetet e caktuara, por për momentin nuk dua ta japë si lajm, para se ta marrë aktvendimin e Gjykatës Supreme, sepse ajo i ka pranuar provat që janë përjashtuar nga gjykata e shkallës së parë dhe e ka kthyer lëndën në rigjykim. Kolegji i Gjykatës Supreme ka pasur të drejtë po të kishte konsideruar se ka shkelje lidhur me bazat ankimore të Prokurorit Special dhe me këtë rast ka mundur ta kthejë lëndën në rigjykim, por kjo në fakt edhe ka vendosur për çështjen penale kur ka bërë pranimin e provave, sepse mbrojtjen e ka vënë para një gjykimi të padrejtë me rastin kur kthehet lënda në rigjykim”, ka thënë ai.

Duke marrë parasysh se Gjykata Supreme e ka kthyer lëndën në rigjykim, Vërtopi thotë se me këtë akt lënda është kthyer në minus zero, duke e vënë mbrojtjen para një akti të kryer dhe para një procesi të padrejtë. Ai ka shtuar se Gjykata Supreme, me kthimin e lëndës në rigjykim, në njëfarë forme ka vendosur edhe për lëndën.

“Me këtë rast i gjithë procesi në shkallën e parë do të jetë i padrejtë, sepse lëndën nuk e ka kthyer në vendosje prej zeros, por duke e bërë pranimin e provave në këtë çështje penale, e ka kthyer në minus zero. Në këtë rast mbrojtja gjendet para një aktit të kryer, mu për arsye se kolegji i Gjykatës Supremes kur e ka kthyer lëndën në rigjykim edhe ka vendosur për çështjen, që nuk e kemi pritur që të vendoset në këtë mënyrë të padrejtë. Dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës nuk e lejojnë këtë mënyrë të vendosjes”, ka thënë Vërtopi për Kosovapress përmes telefonit.

Por shkeljet procedurale, sipas Vërtopit, nuk përfundojnë këtu. Ai ka thënë se tash janë duke u bërë shkelje procedurale me caktimin e paraburgimit të të pandehurve.

“E tash në veçanti janë duke u bërë shkeljet me caktimin e paraburgimit, sepse është duke u vazhduar paraburgimi. Lënda komplet fizikisht gjendet në Gjykatën Supreme, domethënë nuk ka qasje në lëndë kryetari i trupit gjykues në shkallën e parë –  i asaj të Qarkut. Tash për tash janë bërë dy ndryshime, së pari e caktoi paraburgimin një kryetar i trupit gjykues, ndërsa pas një muaji e mori lëndën një kryetar tjetër i trupit gjykues dhe në mënyrë të kundërligjshme e vazhdoi paraburgimin. Te vazhdimi i paraburgimit ai citon dëshminë e dëshmitarit Agim Zogaj, e në anën tjetër po thotë se lënda është në Gjykatën Supreme. Si ka mundësi të thotë se lënda është në Gjykatë Supreme ndërsa e citon dëshminë e dëshmitarit Agim Zogaj. Parashtrohet pyetja ku e ka marrë ai atë dëshmi, në çka e arsyeton rrezikun e ikjes, në çka e arsyeton ndikimin në dëshmitarë”, ka thënë Vërtopi.

Ai ka shtuar se mbrojtja do të këtë kujdes edhe në prononcimet e saj në opinion, sepse çdo prononcim jo i drejtë mund ta dëmtojë procesin gjyqësor në rastin ‘Kleçka’, i cili pritet të mbahet së shpejti, e kjo ka të bëjë edhe me aplikimin e Kodit të ri të Procedurës Penale, i cili, sipas Vërtopit, me gjasë, sipas dispozitave kalimtare të kodit të ri, duhet të aplikohet në këtë proces.

Vërtopi ka shfaqur habinë e tij se si ligj i ri nuk ka dhënë kohë të mjaftueshme që të bëhet përgatitja as e prokurorit, as avokatëve mbrojtës, e as gjykatës për këtë rast. Ai ka shtuar se para një procesi të tillë aq ka shumë pyetje të cilat nuk kanë përgjigje, e që ai thotë se presin që së shpejti, me marrjen e aktvendimit nga Gjykata Supreme, bile shumica e përgjigjeve do të identifikohen nga mbrojtja dhe për to do të informohet opinioni

Lini një koment