Pas takimit Thaçi-Daçiq, takohen Jahjaga-Nikoliç
Përmes një deklarate për media lëshuar nga zëdhënësi i Presidentes së Republikës së Kosovës, Arbër Vllahiu, bëhet e ditur se kabineti i Presidentit të Serbisë dhe zyrtar të BE-së kanë shprehur interesim për një takim mes presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe atij të Serbisë, Tomislav Nikoliç
“Ditën e fundit të Samitit të Budvës kabineti i Presidentes së Kosovës është kontaktuar nga kabineti i Presidentit të Serbisë dhe është sugjeruar një takim i drejtpërdrejtë ndërmjet Presidentëve të të dyja vendeve. Gjithashtu nga zyrtarët e lartë të BE-së është kontaktuar Presidentja e Kosovës dhe është biseduar për mundësinë dhe modalitetet e takimit ndërmjet dy Presidentëve, si shtytje e procesit të dialogut dhe arritjes e zbatimit të marrëveshjeve që lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe që ndikojnë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”,-thuhet në deklaraten e Vllahiut.
Vllahiu sqaron se takimi Jahjaga-Nikoliç do të mund të realizohej pas takimit të janarit mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
“Presidentja Jahjaga u ka sugjeruar liderëve te Bashkimit Evropian që të organizojnë dhe ndërmjetësojnë takimin e parë ndërmjet Presidentes të Republikës së Kosovës dhe Presidentit të Republikës së Serbisë dhe ky takim do të mbahej pas takimit të radhës të kryeministrave Thaçi dhe Daçiq”, sqaron Vllahiu./Dukagjini.com