Liderët kosovarë urojnë qytetarët për Vitin e Ri
Viti 2012 është cilësuar si vit i sukseseve të vazhdueshme nga liderët shtetëror.
Presidentja Atifete Jahjaga e ka quajtur 2012-ën vit të ecjes përpara për Kosovën, ndërsa ka përmendur si storje suksesi përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.
Jahjaga ka thënë se Kosova është një shtet me rrugë të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ajo në urimin e saj për qytetarët ka thënë se Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, është bërë faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon, duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore.
Qytetarët i ka uruar edhe i pari i ekzekutivit Hashim Thaçi, duke kujtuar sukseset që ka shënuar vendi gjatë një viti.
Kryeministri ka thënë se Kosova ka hyrë në vitin e pestë të pavarësisë si shtet i lirë, demokratik, sovran dhe me një shkallë të lartë të përparimit në të gjitha drejtimet.
Thaçi ka thënë se shteti i ri i Kosovës ka demonstruar me korrektësi dhe përgjegjësi të lartë politikë paqësore dhe të fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet përreth, duke treguar gatishmërinë e përmirësimit të marrëdhënieve edhe me shtetin e Serbisë fqinje.
Kryeministri ka premtuar se Qeveria do të angazhohet që të përmbush të gjitha parakushtet që Kosova të jetë sa më parë pjesë e integrimeve euroatlantike, institucione të cilave ajo ju përket jo vetëm si aspiratë, por edhe si orientim i natyrshëm gjeografik, politik, ekonomik dhe kulturor.
Urime për qytetarët ka dërguar edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
Kryeparlamentari shpreh besimin se vitin që vjen institucionet do të kenë forcën e duhur për të shtrirë sundimin e rendit e të ligjit në çdo cep të Kosovës, për të ecur më shpejt dhe më sigurt drejt integrimeve Euroatlantike.
Qytetarët i kanë uruar edhe lider të tjerë të institucioneve dhe partive politike./tung.ch