Krasniqi: Puna e Kuvendit ishte e suksesshme
Miratimi i ligjeve dhe Rezolutës për përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, konsiderohet si një prej sukseseve dhe angazhimeve më të mëdha të Kuvendit gjatë vitit 2012.Edhe vetë kryeparlamentari Jakup Krasniqi konsideron se miratimi i amendamenteve kushtetuese dhe ligjeve që kishin të bënin me mbikëqyrjen ndërkombëtare, ishin puna dhe angazhimi kryesor i deputetëve të Kuvendit gjatë këtij viti.
Sipas kreut të legjislativit, institucioni që ai drejton, gjatë vitit 2012, ka ushtruar si duhet kompetencat e veta që i ka me kushtetutë dhe me Rregulloren e punës së Kuvendit.
“Mund të themi se gjatë këtij viti, puna e Kuvendit ka qenë mjaft kohezive. Kuvendi ka qenë i të gjithë përfaqësuesve të qytetarëve të Kosovës që janë pjesë përbërëse e Kuvendit, duke përfshirë jo vetëm opozitën, por edhe deputetët e pavarur”, tha Krasniqi.
Gjithsesi punën e Kuvendit e vlerësojnë edhe opozitarët. Arben Gashi nga LDK-ja, i cili është edhe kryetar i Komisioni parlamentar për legjislacion, thotë se Kuvendi ka nxjerr mjaft ligje, por problem mbetet zbatimi i tyre.
“Në aspektin kuantitativ Kuvendi ka arritur të aprovojë një sërë ligjesh, po ashtu nëse shohin në aspektin kualitativ Kuvendi ka arritur të përmirësojë shumë ligje, mirëpo problemi qëndron te zbatimi i ligjeve dhe ekzekutimi i këtyre ligjeve që çalon nga Qeveria”, u shpreh Gashi.
Edhe Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, e vlerëson punën e Kuvendin në nxjerrjen e ligjeve.
“Mendoj se në aspektin e prodhimit të ligjeve, Kuvendi qëndron më mirë në këtë funksionin e tij, sepse jemi brenda kornizave të parapara edhe të përpiluara më herët se cilat do të jenë afatet e miratimit të ligjeve në Kuvendin e Kosovës, me disa vonesa, mirëpo të përmirësueshme”, tha Konjufca.
Megjithatë, Konjufca thotë se Kuvendi ka ngecur në aspektin e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve dhe kontrollit të institucioneve të cilat dalin nga ai.
Ky aspekt, sipas Driton Selmanit nga Instituti Demokratik i Kosovës, është vënë në pah në vazhdimësi.
“Realisht çdo raport ndërkombëtar e ka vënë në pah këtë çështje duke e atakuar Kuvendin, duke thënë që roli mbikëqyrës i tij lë shumë për të dëshiruar. Dhe unë pajtohem tërësisht me këtë. Domethënë, Kuvendi i Kosovës ka shumë instrumente jo vetëm përmes interpelancave dhe pyetjeve parlamentare, por edhe kërkesë për llogaridhënie në debate të vazhdueshme të cilat mund të ndodhin në Kuvendin e Kosovës”, tha Selmani.
Sidoqoftë, gjatë dymbëdhjetë muajve, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur gjithsej 48 seanca, 5 prej tyre solemne. Nga 120 deputetë sa ka Kuvendi, gjatë një viti janë parashtruar 160 pyetje parlamentare për anëtarët e Kabinetit qeveritar, janë zhvilluar 12 debate parlamentare lidhur me zhvillimet në vend. Gjatë vitit 2012, janë miratuar 69 ligj dhe 5 deklarata e rezoluta, prej të cilave edhe Rezoluta për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e cila i hapi rrugë dialogut politik mes dy vendeve./standardi/