Kompanitë kosovare mund të ikin nga Kosova
Viti 2013-të mund do të jetë mjaftë sfidues për ekonominë kosovare. Bisedimet me Serbinë, zgjedhjet eventuale, do ta lënë ekonominë nën hije. Kompanitë prodhuese nga Kosova rrezikohet të ikin në vendet e rajonit, për shkak të kushteve të vështira. Këto dhe të tjera në intervistën me Safet Gërxhaliu, kryetarë i Odës Ekonomik të Kosovës.
Z. Gërxhaliu, mirë se erdhët në emisionin Eko-Bonus në Radio Dukagjini.
Gërxhaliu: Mirë se u gjej, ju faleminderit për ftesën.
Dukagjini: Atëherë, cili është vlerësimi juaj si kryetar o Odës Ekonomike të Kosovës për ekonominë kosovarë gjatë vitit 2012-të ?
Gërxhaliu: Jemi dëshmitarë të asaj që viti 2012-të ka qenë një vit I cili më tepër është karakterizuar me ndodhi politike dhe me avancimin e dialogimit me Serbinë dhe krahas Serbisë me Brukselin. Për fat të keq në një agjendë të tillë të stërngarkuar politike, dashtë e pa dashtë duhet pranuar realiteti I hidhur që ekonomia është lënë anash. Dhe e tëra kjo vërtetë ka qenë një dukuri e cila i ka dhënë një qasje ad-hoc, d.m.th. sa i përket problemeve dhe sfidave ekonomike. Duhet të kuptohet se nuk mund të zgjidhen të gjitha këto probleme në qoftë se nuk do ta kemi një vizion të qartë, dhe ky vizion për fat të keq në vitin 2012-të ka qenë inekzistent dhe e tëra kjo e ka pru Kosovën në këtë gjendje ekonomike çfarë është tani.
Dukagjini: Z. Gërxhaliu, indikatorët kryesorë tregojnë se kemi rënie të investimeve të huaja, rënie të eksporteve, remitencave, si dhe ndikime nga kriza në Eurozonë. Cilat do të duhej të ishin hapat për tejkalimin e kësaj situate, apo minimizimin e ndikimeve nga kriza e Eurozonës?
Gërxhaliu: Është e vërtetë, se disa nga indikatorët më të rëndësishëm, të cilat janë fondamenti i qëndrueshmërisë ekonomike të një shteti, por për fat të keq të gjitha këto indikatorë ne i kemi paralajmëruar edhe si Odë Ekonomike, por edhe unë personalisht në momente të caktuara. Do të thotë ato rekomandime, apo vërejtje kanë hasur në keqkuptime. Në vend se kritikat, apo rekomandimet tona të merren, të analizohen dhe të gjendet forma për të dalë nga një situatë e tillë, ne në momente të caktuara kemi qenë viktimë e krejt kësaj dhe jemi sidomos nga dikastere të caktuar jemi komplet të anashkaluar, qoftë për partneritet, qoftë për ndonjë ndihmë. Dhe vërtet e tëra kjo na brengosë shumë më tepër. Një shtet i cili ballafaqohet me këto trendë negative si rënia e investimeve të huaja direkte, rënia e remitencave, rënia e eksporteve, dhe çka është më shqetësuese, do të thotë është dashur të kalojnë disa vite dhe të kuptohet ajo që e kemi thënë. Është koha kur duhet ta ndërtoni një mekanizëm mbrojtës nga pasojat e krizës globale dhe ajo vërtet nuk është trajtuar dhe jemi këtu ku jemi. Por, nga e tëra kjo nuk duhet të krijohet panik, është koha kur duhet vërtetë vitin 2013-të ta marrim si prioritet nga këndvështrimi ekonomik, t`i analizojmë të gjitha këto dukuri me të cilat ballafaqohemi. Dhe nga e tëra kjo të mos biem viktimë e kohës së viktimizuar, po nga e tëra kjo të gjejmë diçka dhe të shpëtojmë diçka, atë çka duhet shpëtuar. Në kelt drejtim besoj që është koha kur duhet të avancohet partneriteti dhe të avancohet dialogimi. Duhet të eliminohet personifikimi dhe në rend të parë të fillohet të bisedohet me ekspertizë shkencore dhe profesionale. Në qoftë se do të jetë gjithçka në ombrellat politike vërtet viti 2013-të do të jetë mjaft sfidues.
Dukagjini: Z. Gërxhaliu ju po theksoni se duhet të ketë avancim të dialogimit. Si e vlerësoni punën e Këshillit Kombëtarë për Zhvillim Ekonomik, i cili për shtatë muaj në vitin 2012-të ka mbajtur gjithsejtë tetë takime ?
Gërxhaliu: Është mëse e vërtetë që në Kosovë kohëve të fundit janë krijuar këshilla të shumta. Mirëpo, më duhet të citoj një mendimtarë britanik i cili ka merita shumë të mëdha për stabilitetin dhe krijimin e Britanisë së Madhe, i cili thotë “në qoftë se dëshironi ta shkatërroni ekonominë e një shteti atëherë themeloni sa më shumë oda ekonomike dhe sa më shumë këshilla”. Dhe momente të caktuara lind pyetja. A janë këshillat ekonomike të krijuara vetëm për të prolonguar mos-zgjidhjen e problemeve, apo vërtetë e kanë kapacitetin për të zgjidhur problemet ? Të them të drejtën unë vërtet nuk kamë kohë për të humbur në përsëritje permanente të të njëjtave gjëra. Është koha kur vërtet duhet të jemi pragmatik, koha kur duhet të kemi hapa më substancial, dhe ata hapa të reflektojnë në efekte pozitive. Ne mund të flasim për të gjitha se kemi bërë ndryshime, por nëse ato ndryshime janë pozitive i shijon qytetari, i shijon pronari i kompanive, i shijon biznesmeni, i shijon përmirësimi i vlerave, i ambientit dhe tërheqja e investitorëve të huaj. Dhe në qoftë se në këtë drejtim kemi çdo dit ngecje, atëherë çka duhet të flitet për rolin dhe rëndësinë e këtyre këshillave dhe të themelimit të odave ekonomike, si të kërpudhave pas shiut.
Dukagjini: Z. Gërxhaliu, Kosova dhe Shqipëria, përkundër krijimit të kushteve që të kenë një bashkëpunim të mirëfilltë ekonomik, tregtarë, nuk kanë arritur deri më tani një gjë të tillë. Pse po ndodh kjo, kur ngado që vemi dëgjojmë liderë shtetërorë që me plot gojë flasin për bashkimin ekonomik, si rruga që i bashkon shqiptarët ?
Gërxhaliu: Është mëse e vërtetë, ne si Odë Ekonomike dhe unë personalisht në rolin e kryetarit të Odës Ekonomike e kam trajtuar këtë problem qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë. Është e vërtetë që jemi peng i një patriotizmi folklorik, jemi peng i një euforie e cila nuk ka substancë për një avancim të këtyre raporteve, nuk mund të ketë bashkim të dy shteteve në qoftë se nuk bashkohet ekonomia. Hajde ta analizojmë nga një këndvështrim shumë profesional, cila ka qenë zanafilla e themelimit të Unionit Evropian, ka qenë në vitin 1951 bashkësia për thëngjill dhe për çelik, ka qenë në vitin 1953 ajo që e karakterizon për siguri, do të thotë për energji atomike. Dhe ajo 1957-58 që ka të bëjë me traktatin e Romës, ku do të thotë platforma e funksionimit dhe e bashkimit ka qenë orientuar mu në aspektin ekonomik. Prandaj në këtë drejtim nuk mund të bëhet ose të avancohet asgjë në raportet Prishtinë-Tiranë, në qoftë se nuk eliminohen barrierat ekonomike, në qoftë se nuk shfrytëzohen potencialet e dy ekonomive komplementare, në qoftë se vërtetë nuk pretendojmë që bashkërisht të jemi aktivë në tregjet tjera. Dhe në fund të fundit duhet të kuptohet realiteti që jemi dy shtete të një populli të ndarë. Dhe në këtë formë çfarë jemi duke vepruar, nuk jemi aspak të sinqertë ndaj popullit, por edhe më pak të sinqertë jemi karshi faktorit ndërkombëtarë dhe Brukselit që e kemi synim. Në momente të caktuara e kam tërhequr një paralele, në qoftë se e analizoni Gjermanit e bashkuara, 40 vite kanë punuar për bashkimin, por asnjëherë nuk kanë folur për bashkim. Dhe në Kosovë dhe Shqipëri lind pyetja, mos ata që janë, flasin ose derdhin lot krokodili për bashkim, janë kundërshtarët më të mëdhenj të bashkimit, në qoftë se ata e kundërshtojnë bashkëpunimin ekonomik dhe avancimin e prioritetit. Vërtetë është një fenomen që duhet të analizohet, sepse si duket krijimi i mosbesimit si pasojë e trazirave, ose të tarnzicionit të trazirave në Shqipëri që nga viti 1996-97-të ka lënë gjurmë të tilla që ngulfat, ose është vrarë mirëbesimi, ose besimi reciprok në mes të bizneseve kosovare dhe atyre të Shqipërisë.
Dukagjini: Z. Gërxhaliu, për herë të parë në vitin 2012-të Kosova është ranguar më mirë në raportin e BB-së “doing buissnes”. Mirëpo investimet e huaja kanë shënuar rënie drastike ?
Gërxhaliu: Gjithmonë duhet të analizohet një formë e tillë e rangimit ku je në aspektin rajonal dhe ku je në aspektin botërorë. Qoftë në aspektin rajonal, apo atë botërorë, mos të mendohet që një lëvizje e tillë në pozicione, ose në numra do ta ketë efektin e vet. Neve na duhen ndryshime substanciale, nuk na duhen dekor dhe marketing. Dhe është vërtetë shqetësuese kur i përcjell mediat vendore çfarë kampanje dhe çfarë promovimi bëhet kinse është fituar çmimi më i lartë për zhvillim ekonomik. Mirëpo, në qoftë se sot e ke këtë ambient biznesorë, kam frikë se në vitin 2013-të kompanitë prodhuese nga Kosova do të ikin nga Kosova dhe do të prodhojnë në vendet tjera. A është kjo diçka që e dëshmon përmirësimin e ambientit biznesorë ? Në qoftë se e analizoni qasjen e qeverive rajonale, tërheqja e investitorëve është një kampanjë, një trend, është një kampanjë agresive. Dhe paramendoni vetëm nga shtetet e rajonit ofertat për bizneset kosovare janë vërtetë shumë joshëse. U ofrohet toka pa para, dhjetë vite lirim nga tatimi në fitim, dhe mbi të gjitha për çdo të punësuar do të keni benificione shtetërore. A e bënë këtë Kosova ? Dhe në këtë drejtim është shumë më e rrugës të krijohet një pako për të tërhequr investitorë, dhe të bëhet identifikimi i investitorëve potencial. Nuk duhet t`i pyesim ata çka do të investojnë në Kosovë, por çka duhet të bëjmë ne për ata që t`i kemi në Kosovë. Prania e kompanive të mëdha në Kosovë është përparësi psikologjike, e cila reflekton me efekte të shumta pozitive. Prandaj në këtë drejtim të mos mendohet se tërheqja e investitorëve është fontanë dëshirash, mos të mendohet se investitorët do të vijnë në Kosovë përmes vizitave turistike që janë duke i bërë. Dhe mos të mendohet që promovimin e investimeve në Kosovë karshi kompanive të mëdha do të bëhet në qoftë se edhe vet Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tash e krijon në kuadër të vet një odë ekonomike përmes disa biznesmenëve servil të cilët i kanë benificionet e veta dhe ata do të jenë pjesë e promovimit. Është absurde, është amorale të mendohet që në një shtet evropian ose në një kryeqytet evropian mbahet konferenca për investime, tre ministra nga Kosova janë të pranishëm, ballafaqohen me një ose dy biznesmenë të huaj dhe tridhjetë kosovarë që i marrin me vete. Ai bëhet nder në këtë mënyrë Kosovës dhe a ndikon kjo në tërheqjen e investitorëve ? Duhet të ndryshohet qaja dhe tek atëherë mund të mendohet për tërheqjen e investitorëve të huaj. Dhe duhet të kuptohet realiteti nuk do të ketë investitorë të huaj në Kosovë derisa nuk do ta kemi një qasje më pozitive ndaj bizneseve ekzistuese në Kosovë, në veçanti ndaj sektorit prodhues.
Dukagjini: Z. Gërxhaliu, çka presim në vitin 2013-të për ekonominë Kosovë, cilat do të jenë sfidat ?
Gërxhaliu: Vet fakti që viti 2013-të do të jetë një vit ku agjenda politike është e stërngarkuar, na presin negociata, ose vazhdimi i dialogut teknik me Serbinë, me siguri do të aktualizohet edhe marrëveshja për stabilizim asociim. Dhe e tëra kjo nëse do të përcillet me zgjedhjet eventuale në nivel nacional, janë tri aktivitete të cilat për fat të keq, druaj se do ta lënë ekonominë nën hije. Mirëpo, unë dua të besoj se është koha kur duhet të apelohet në institucionet vendore dhe ndërkombëtare që të jenë të orientuar shumë më tepër drejtë ekonomisë. Dhe në qoftë se mendohet stabiliteti politik, mendohet stabiliteti social, mendohet përmirësimi i imazhit të Kosovës, atëherë le të punohet më tepër në sundimin e rendit dhe ligjit, dhe në mbështetje të sektorit privat dhe atij prodhues. Dhe le të bëjmë çmos që paraja e gatshme të mos jetë si top-eksport nga Kosova, por ajo të mbetet në Kosovë dhe të krijoj ose të gjenerojë efekte pozitive.
Dukagjini: Z. Gërxhaliu urimi juaj për dëgjuesit e Radio Dukagjinit !
Gërxhaliu: Vërtetë nga zemra po e them, në qoftë se vlen të theksohet diçka, atëherë padyshim se është partneriteti dhe ajo çka ka bërë Radio Dukagjini. Ka qenë një partner që i ka përcjell të gjitha sukseset dhe brengat e Odës Ekonomike. Dhe për këtë jo vetëm stafit të Radio Dukagjinit, por edhe gjithë dëgjuesve të Radio Dukagjinit, kudo që janë në botë, nga zemra ju dëshiroj asgjë më tepër, e më pak se çka i dëshiroj vetes personalisht, por edhe institucionin të cilin e udhëheqë.
Dukagjini: Z. Gërxhaliu ju faleminderit urime dhe juve festën…
Gërxhaliu: Ishte kënaqësi.
/Dukagjini/