Këmbëngul për një qeveri të re
Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj vlerëson situatën në vend jo të mirë dhe këmbëngul për një qeveri të re.
Së pari zoti Haradinaj, jemi duke lënë pas një vit të tërë. Pra po ndahemi me vitin 2012, por si ishte ky vit për ju personalisht dhe për Kosovën?
“Nuk ka qenë një vit i lehtë dhe fatmirësisht në planin personal përfundoi mirë, pra u mbyll një punë e madhe që kisha para vetes duke mu dhënë mundësia që të jem përsëri në Kosovë, jam i kënaqur. Ndërsa për Kosovën ky vit sigurisht që ka qenë një vit i shumë vështirësive, i shumë sfidave dhe i shumë angazhimeve që ka vendi. Ky vit, po ashtu lë shumë për të dëshiruar, nuk pajtohem me trendët që kemi pasur këtë vit, që do të thotë se duhet të shënojmë ndryshime të mëdha në jetën tonë në Kosovë”, ka thënë Haradinaj për Dë.
Ai ka thënë se nuk pajtohet me vlerësimin se ai “kryeneç” për të marrë udhëheqjen e Qeverisë. “Në rast se i takon një vendi që ka vështirësi dhe ke opsion për të dhënë zgjidhje për shumë tema me rëndësi për jetën e njerëzve, atëherë duhet të ofrohesh”.
“Pra bëhet fjalë për një ofertë të sinqertë nga ana ime dhe e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për ta ndryshuar gjendjen në vend, një gjendje që siç thashë nuk mund të pajtohem”.
Ai ka thënë se lista e të metave të kësaj qeverisje dihet dhe këto do t’i gjenim të pasqyruara më së miri në raportin e progresit të Bashkimit Evropian, të Komisionit për Kosovën, të gjitha janë aty.
“Pra lista e të metave dihen, defektet dihen, por mënyra se si ta ndryshojmë këtë gjendje po mungon. Unë e kam dhënë mënyrën dhe zgjidhjen se si mund të ndryshojë gjendja menjëherë në Kosovë edhe pa shkuar në zgjedhje”, ka thënë ish kryeministri Haradinaj.
Sa i përket deklaratave të kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi kundër përfshirjes së Haradinajt në qeverisje, shefi i AAK-së ka thënë se e çmon zotin Krasniqi.
“Ai është një veprimtar i hershëm politik dhe kuptohet ka përgjegjësi me rëndësi si kryetar i parlamentit dhe personalisht nuk kam ndonjë koment ndaj deklaratave të tij. Ato mund të jenë edhe për shkak të zhvillimeve të brendshme në partinë e PDK-së meqë janë në proces zgjedhor”./Dukagjini.com