Viti i skandaleve!
Aq shumë kanë pasur skandale prej më të ndryshmeve institucionet e vendit, sa që po të numërohen të gjitha do të duhet një botim i veçantë i gazetës – një gazetë vetëm me skandale!
Viti që së shpejti do të quhet “i kaluar” për qytetarët e vendit ka qenë përplot me befasi, të këqija, kuptohet, të cilat ua kanë “dhuruar” bartësit e institucioneve të vendit. Me skandale ka nisur, me skandale ka vazhduar dhe me skandale ka përfunduar viti 2012.
E veçanta e vitit 2012 nuk është vetëm fakti se skandalet prej më të ndryshmeve kanë shoqëruar opinionin pothuajse çdo muaj, por se ata që i bënë skandalet, në asnjë rast nuk janë dënuar, nuk kanë dalë para drejtësisë dhe nuk janë shkarkuar nga pozitat udhëheqëse. Ata kanë vazhduar me “avazin” e vjetër.
Ndërkaq, është e pamundur që të bëhet një radhitje se cili ministër mund të cilësohet si më skandalozi. Siç thuhet në popull, “kape njërin e mëshoji tjetrit”! Por, pavarësisht nga kjo, disa nga rastet për të cilat është raportuar nga gazetarët kosovarë kanë nxitur organet e rendit që t’i fillojnë hetimet dhe të bëjnë “zhurmë” rreth çështjeve të ndryshme. E qytetarëve u mbetet të presin se çfarë do të ndodhë me dhjetëra skandale, përkatësisht me ata që janë të përfshirë në to.
1. “Avullimi” i 1.4 milion eurove të MPB-së
Nuk është e rastësishme që në “top-listën” e skandaleve gjendet e para Ministria e Punëve të Brendshme. MPB-ja ka kryesuar gjatë vitit 2012 me skandale prej më të ndryshmeve, ndërsa, pa asnjë dyshim, “avullimi” i 1.4 milion eurove të cilat do të duhej të përfundonin në xhirollogarinë e kompanisë austriake, OeSD, dhe të cilave u është ndryshuar destinacioni, përbën kryeskandalin e vitit.
Por, ky nuk është skandali i vetëm i dikasterit të punëve të brendshme. Gjatë vitit është raportuar se në këtë dikaster falsifikohen nënshtetësitë e datëlindjet, madje edhe ato të gjyqtarëve, se keqpërdoren paratë e kompanive ndërkombëtare që fitojnë tenderë të ndryshëm, siç është rasti i kompanisë sllovene KIG. Edhe Policia e Kosovës, që është dikaster nën ombrellën e MPB-së, është përfshirë nga skandalet, ndërsa vjedhja e arit në Pejë është ndër më të mëdhenjtë në forcën e rendit të Kosovës.
2. Skandali i përgjimeve
Qytetarët e Kosovës janë “shokuar” kur kanë dëgjuar fjalorin dhe shprehjet e kryeministrit Hashim Thaçi, dhe zyrtarëve të tjerë të PDK-së, si Adem Grabovci, Vlora Çitaku, Sami Lushtaku dhe Kadri Veseli teksa flasin ndërmjet vete. Nga skandali i përgjimeve ka dalë në shesh se sa e përçarë është Partia Demokratike e Kosovës, si urrehet sekretari i kësaj partie, Jakup Krasniqi, nga kryetari i partisë, Hashim Thaçi, dhe si ka drojë Thaçi që të shkojë në Malishevë, ngase, siç pati thënë ai, “zagarët e Malishevës mund t’ia gjigavin”.
Vetëm pak kohë pas publikimit të pjesëve tonike në kanalin “youtube.com”, pati reaguar Qeveria e Kosovës, e cila pati thënë se incizimet janë falso, por pak kohë më pas EULEX-i pati thënë të kundërtën, pra se ai i ka bërë përgjimet. Po ashtu me këtë skandal u dëshmua se në Kosovë për gjithçka, qoftë edhe për një të punësuar si asistent administrativ vendosin “bosat”. Konkursi dhe procedurat tjera janë vetëm një formalitet…. (shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin festiv të Gazetës “Zëri”)