Kalo te lënda

Lesbiket në Kosovë jetojnë nën ombrellën e dashurisë

Uten navnHistoria nisi në verën e vitit 2011. Gjithçka ishte e rastit, sikurse edhe takimi i parë. Krejt kjo ndodhi në një klub nate të kryeqytetit për të vazhduar më pastaj komunikimi përmes telefonit dhe rrjetit social Facebook. Ajo është vetëm 28 vjeçe. Me profesion është juriste. Por, ajo që e bën të dallohet këtë zeshkane nga shumica e femrave të tjera në Kosovë, është përcaktimi i saj seksual. Ajo është lesbike.

Bardha nga Mitrovica, më shumë se një vit bashkëjeton me partneren e saj të zgjedhur, e cila është shtetase norvegjeze. Kjo e fundit sapo ka festuar ditëlindjen e 30-të. Bashkëjetesa e këtij çifti është sikurse e çdo partneri tjetër. Vajza kosovare që vjen nga qyteti problematik ka zgjedhur që të bashkëjetojë me norvegjezen në një banesë të vockël që gjendet në një qoshe të kryeqytetit, iniciativë kjo e përbashkët.

Secila ka dollapin e saj të mbushur plot me gardërobë të përzgjedhur dhe firmato, por që mbizotëron ngjyra e kuçe dhe e bardhë. Janë të apasionuara pas makijazhit, por që parapëlqejnë edhe aksesorët. Por, ajo çka është më e rëndësishme për këto dy lesbike (shqiptaren dhe norvegjezen) është harmonia mes tyre. Ndajnë gëzimin dhe hidhërimin bashkë, por kohën e lirë e kalojnë duke lexuar romane të autorëve të ndryshëm, dëgjojnë muzikë, udhëtojnë për pushime bashkë, shkojnë në kinema e teatër.

Ato nisin rrëfimin e tyre për “Zëri” dhe përvojën e bukur që kanë për më shumë se një vit. Thonë se çdo mëngjes konsultojnë njëra-tjetrën se si të vishen për punë. Pasi marrin pëlqimin e njëra-tjetrës, vazhdojnë ritmin e tyre të përditshëm të jetës. Së paku katër-pesë herë në ditë i telefonojnë njëra- tjetrës. E i gjithë muhabeti i tyre theksojnë se zhvillohet rreth punës, problemeve me të cilat përballen, diskutojnë edhe për politikë, por që në asnjë formë nuk mbeten anash as planet për të ardhmen. Ndonëse nuk i zbulojnë shumë planet e tyre, por ajo për çka janë pajtuar është se do të jetojnë në Prishtinë, dhe jo në Norvegji, edhe pse ky shtet skandinav dallon shumë sa i përket botëkuptimet për këtë komunitet.

Megjithatë, kjo nuk ia ka mbushur mendjen juristes nga Mitrovica, që të “arratiset” dhe jetojë përfundimisht në shtetin norvegjez. Vajza nga Mitrovica thotë se në të ardhmen planifikon të shkojë në ndonjë shtet për ta bërë fekondimin artificial gjithnjë duke pasur në krah një partnere që ia do zemra.

Qysh e re e kuptova se jam lesbike

Bardha tregon se qysh në moshën 13 vjeçare, për herë të parë kishte filluar të ndjejë diçka për personin e seksit të njëjtë dhe kishte krijuar simpatinë e parë tek shoqja e klasës. Ndonëse me vite e kishte fshehur atë ndjenjë që e kishte për seksin e njëjtë, në moshën 19 vjeçare kishte pasur marrëdhënie për herë të parë me një femër shqiptare. “Qysh atëherë e vërtetova përcaktimin tim seksual, të cilin fakt natyrisht se e kam pranuar, edhe pse kjo është e vështirë për mentalitetin që ekziston në Kosovë. Ajo çka dua të them është se nuk dallojë aspak nga femrat e tjetra, por dallon vetëm përcaktimi seksual. Është shumë e lodhshme tentativa për ta bindur këtë shoqëri se lesbike nuk bëhesh, por lind kështu”, vazhdon rrëfimin e saj vajza nga Mitrovica. Mirëpo, ajo tregon se për shkak të botëkuptimeve dhe mentalitetit të mjedisit ku jeton, nuk ka mundur të bëjë publike përcaktimin e saj seksual as te familja e saj.

“Familja ime që përbehet nga pesë anëtarë jeton në Mitrovicë, por unë prej kohës së studimeve jetoj në Prishtinë dhe kjo ndoshta e ka bërë më të lehtë që të fsheh edhe përcaktimin tim seksual që kam, dhe në këtë formë e kam më të lehtë bashkëjetesën që kam me partneren time. Por, ajo çka dua të them është se edhe sot e kësaj dite e kam shumë të vështirë t’iu tregoj familjarëve se jam lesbike, në përjashtim të nënës e cila tashmë është në dijeni. Kjo është një temë tabu jo vetëm në familjen time, por në gjithë shoqërinë kosovare”, thotë Bardha.

Juristja që vjen nga qyteti i Mitrovicës na e zbuloj edhe momentin kur ia ka konfirmuar së ëmës përcaktimin e saj seksual. “Për një moment mbeti me gojë të hapur, derisa fjala e parë që i erdhi në gojë ishte: ” pse s’më ke treguar më herët”. I sqarova se e kisha shumë të vështirë t’ia them një gjë të tillë, derisa iu lutu që kjo të mbetet fshehtësi në mes nesh. Edhe pas kaq vitesh vazhdojë ta mbajë të fshehur faktin se jam lesbike. Kam drojën se në momentin që do të kuptohet s’do të kuptohet drejtë, madje ka gjasa të krijohet perceptimi se jam femër e shfrenuar, person që përdori drogë, e ku e di sa çka do të thuhet./Indeksonline/

Lini një koment