Deputetët: Legjislatura e fundit, më e dobëta
Përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Kosovës vlerësojnë se legjislatura e fundit është legjislatura më e dobët nga të gjitha legjislaturat e deritashme.
Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, thotë se të gjitha legjislaturat e kanë luajtur rolin e vet.
“Ajo që kisha veçuar në këtë legjislaturën e fundit është tendenca për të fut një fjalor apo gjuhë jo fort parlamentare, që nuk është praktikuar fortë në legjislaturat e më hershme. Por, sido çoftë jemi në kushtet e demokracisë dhe kush si e kupton demokracinë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se në vend që legjislaturat të kenë ngritje, ato çdo herë kanë qenë më të dobëta.
“Fatkeqësisht kjo është legjislatura nëse mund të thuhet më e dobëta. Tash edhe unë jam pjesë e kësaj legjislature, po e them edhe një herë fatkeqësisht, por ka deputetë shumë të mirë. Marrë në tërësi është një legjislaturë së pari nga një pjesë e konsiderueshme e deputetëve, legjislaturë që ka dalë nga votat e vjedhura, të abuzuara që e dimë që të gjithë.”, tha ai për “Tribuna Shqiptare”.
Glauk Konjufca, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, thotë se suksesi i legjislaturave duhet të matet nëpërmjet dy kritereve.
“Kriteri i parë është që puna ligjore, puna që është tipike për Kuvendin, dhe kualiteti i produktit që e kanë nxjerr, që është kualiteti i ligjeve. E dyta niveli i prodhimit politik që e bënë raportin e pozitës dhe opozitës në Kuvend. Për disa kjo mund të duket prej legjislaturave më të dobëta që ka pasur Kuvendi i Kosovës. Arsyeja është e thjesht, sepse konsiderohet që opozitarizimin në Kosovë e bënë vetëm një parti politike, e ajo është Lëvixja Vetëvendosje”, ka thënë ai.
E për nënkryetarin e AAK-së, Ahmet Isufi, në legjislaturat e kaluara ka pasur një angazhim, sidomos në forcimin e institucioneve të Kosovës.
“Pikërisht abuzimi me votën ka bërë që legjislatura e tanishme të jetë më e dobët se të tjerat”, ka thënë Isufi.
Ndërkaq, në Kuvendin e Kosovës deri më tani kanë zhvilluar punën e tyre tri legjislatura, dhe e katërta është duke vazhduar.Legjislatura e parë nga viti 2001-2004, legjislatura e dytë nga viti 2004-2007, e treta 2007-2010, dhe e katërta 2010 që vazhdon më tutje deri në zgjedhjet e ardhshme./Indeksonline/