Shtyrjet në PDK, me ndërhyje nga qendra
Deri më tani Partia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar Kuvendet zgjedhore në 34 degë, prej tyre në 26 janë zgjedhur edhe kryetarët e degëve, ndërsa në të tjerat do të zgjidhen pas festave. Sipas burimeve brenda PDK-së, në këto degë që nuk janë zgjidhur kryetarët, edhe pse janë mbajtur Kuvendet zgjedhore, ka pasur ndërhyrje nga qendra. Këto ndërhyrje e kanë penguar procesin, duke e shtyrë për më vonë, nga frika e zgjedhjes së kandidatëve të cilët s’e kanë mbështetjen e qendrës.
Basri Musmuratin, anëtar i kryesisë së PDK-së dhe koordinator i zgjedhjeve në këtë parti, procesin zgjedhor e ka vlerësuar si korrekt dhe sipas rregullave të statutit të partisë. Sipas tij, është zhvilluar një proces normal dhe i cili është përcjellë me rivalitet të madh mes kandidatëve për kryetarë dege nëpër qytete.
“Në këto kuvende zgjedhore që janë mbajt deri më tani nëpër degë puna ka ecë krejt normal, sipas rregullave të statutit dhe rregullores që janë përbërë për zgjedhje. Ka pas konkurrencë shumë të fortë dhe shumë kualitative dhe normalisht në këtë konkurrencë ka pas edhe nga pak defekte, pasi që njerëzit janë shtyrë për ta mposhtur njëri tjetrin. Procesi zgjedhor është zhvilluar në 760 nëndegë dhe 702 seksione”, ka thënë Musmurati në një intervistë për Kosvapress.
Sipas tij, deri më tani, janë mbajtur kuvendet në 34 degë, prej tyre në 26 janë zgjedhur edhe kryetarët e degëve, ndërsa në të tjerat do të zgjidhen pas festave. Edhe pse janë mbajtur kuvendet zgjedhore, nuk është arritur të zgjidhet kryesia dhe kryetarët e degëve, në Prishtinë, në Prizren, Fushë Kosovë, Obiliq, Novobërdë dhe Kaçanik.
Sipas burimeve brenda PDK-së, në këto degë, ku edhe pse janë mbajtur Kuvendet zgjedhore, por nuk janë zgjidhur kryetarët, ka pasur ndërhyrje nga qendra, e cila e ka penguar procesin, duke e shtyrë për më vonë, nga frika e zgjedhjes së kandidatëve të cilët s’e kanë mbështetjen e qendrës.
I pyetur nëse Kadri Veseli do ta sfidojë kryeministrit dhe njëkohësisht kryetarin e PDK-së Hashim Thaçin, Musmurati është përgjigjur, se Kadri Veseli së pari duhet të zgjidhet në Këshillin Drejtues e më pas është e drejt e tij të kandidojë, apo jo.
Megjithatë Musmurati ka shtuar se Hashim Thaçi e ka mbështetjen e plotë të të gjitha strukturave të partisë dhe për momentin është pa konkurrencë.
Në kongresin e partisë, i cili do të mbahet më 26 janar të vitit të ardhshëm, do të jenë prezent rreth 500 delegatë. Ndërsa, sipas Musmuratit, në këtë kongres do të shqyrtohen edhe propozimet për ndryshim dhe plotësim të statutit, si dhe propozime të ndryshme. /Telegrafi/