Kalo te lënda

Qeveria e vetëlavdërimit!

f_1229101920795_mPavarësisht se skandalet e njëpasnjëshme, keqpërdorimet e parasë publike, shkelja e ligjeve të ndryshme dhe dështimet në fusha të caktuara kanë përcjellë pothuajse secilën ministri të Qeverisë së Kosovës, gjatë vitit që po e lëmë pas, ministrat kosovarë kanë vazhduar me “avazin e vjetër”, duke e cilësuar 2012-tën si vit të suksesit.
Gati në secilën ditë të javës së fundit të dhjetorit ministrat e ekzekutivit kosovar kanë organizuar konferenca për gazetarë, duke i shpalosur “sukseset” e shumta të tyre, dhe duke iu shmangur deklarimeve për skandalet.

Ishte edhe vetë shefi i qeverisë, Hashim Thaçi, i cili të premten në mbledhje të qeverisë ka parë vetëm “bardh” karshi punës njëvjeçare të bashkëpunëtorëve të tij, shkruan “Zëri”. Gjatë hapjes së mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës, ai ka vlerësuar se Kosova gjatë vitit 2012, ka ndryshuar pozitivisht nga vitet e kaluara, ndërsa për asnjë moment nuk ka folur për skandalet e ministrave të tij.

E gjithë kjo situatë, për analistët politikë, shoqërinë civile dhe anëtarët e partive opozitare tregon se sa me lehtësi i tejkalojnë qeveritarët skandalet nëpër të cilat kanë kaluar dikasteret qeveritare për dymbëdhjetë muaj.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, thotë se është bërë shprehi e qeverive që janë drejtuar nga Hashim Thaçi, që në fund të vitit të flasin për sukseset e tyre, të cilat siç thotë ai, “i masin me retorikën boshe, sikurse edhe qeverisjen që e kanë boshe”.

Lini një koment