Platforma e Serbisë pengon dialogun
Platforma e Serbisë për Kosovën pengon dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ka thënë ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Jacobson, e cila ka shtuar se Qeveria e saj do të vazhdojë përkushtimin e saj për mbështetjen e zhvillimit të Kosovës, pasi Kosova është një investim i madh për SHBA-të.
Ambasadorja Jacobson në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se është shumë me rëndësi që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, merr këshilla dhe ide nga përfaqësuesit e bashkësisë serbe në Kosovë, me të cilët, sipas saj, Thaçi konsultohet rreth bisedimeve me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq.
“Qeveria ime është e përkushtuar në tërësi në dialogun nën mandatin e BE-së, i cili mbahet në Bruksel. Edhe qeveria e Kosovës ka këtë përkushtim. Jemi dëshmitarë të disa rezultateve të mira, të cilat kanë dal nga dialogu i këtij viti ndërsa ne shpresojmë edhe në rezultate të tjera gjatë vitit të ardhshëm rreth disa çështjeve të rëndësishme. Çfarëdo iniciative tjetër, si puna e platformës, është pengesë që nuk ndihmon”, ka thënë ambasadorja.
Jacobson ka thënë se shpreson që dialogu do të çoj kah normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjë që do të ishte mjaftë e dobishme, jo vetëm për pjesëtarët e bashkësive pakicë, por për të gjithë banorët e këtij shteti.
“Konsiderojë që dialogu zhvillohet në drejtim të zgjidhjeve të ardhshme të cilat do të sjellin stabilitet të vendit, që sjell investime të reja vendore dhe të huaja, të cilat të mundësojnë zhvillim ekonomik, i cili do të sjellë ndryshime pozitive, ndryshime në jetën e njerëzve të thjeshtë, të cilët, në njëfarë mënyre, janë peng të kësaj situata që kemi sot”, ka thënë ambasadorja Jacobson.
Ajo ka shtuar se SHBA-të janë të përkushtuara në partneritet afatgjatë me Kosovën, në marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim me pakicat në Kosovë, si dhe në projektet të ndërlidhura me vetëqeverisjen lokale dhe komunat.
“Planifikojmë që të vazhdojmë bashkëpunimin. Edhe pse ende nuk e kemi buxhetin për vitin 2013, nuk presim asfarë rënie serioze të mjeteve, pasi përcaktimi ynë për Kosovën është rezultat i konsensusit dypartiak, të cilin e ndajnë edhe Kongresi dhe Administrata. Paraprakisht i gëzohemi vazhdimit të një bashkëpunimit të këtillë edhe në të ardhmen dhe në fakt, kolegët tanë nga Uashingtoni, të cilët marrin vendime për financat janë të vetëdijshëm për përparimet dhe rezultatet konkrete në ndihmat që ofrojmë ne. Kosova është një investim i madh për ne”, ka thënë Tracey Jacobson.