Kalo te lënda

VV në Prizren: Viti i mbrapsht

Uten navnKryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Arbër Rexhaj, vitin 2012 e vlerësoi të mbrapsht për Prizrenin. Sipas tij, gjatë këtij viti, qyteti i Prizrenit është karakterizuar degradim institucional dhe kulmim të korrupsionit.

“Qeveria e Ramadan Mujës gjatë vitit që po e lamë pas na ka treguar shembullin më të keq të keqqeverisjes duke mos i përmbushur edhe kushtet elementare të jetës së qytetareve në Prizren”, tha Rexhaj.

Sipas tij, gjatë këtij viti, fshatrat dhe lagjet të tëra të qytetit ose nuk kanë pasur ujë të pijshëm, ose u janë nënshtruar reduktimeve që kanë zgjatur pothuajse gjatë tërë vitit, sikurse në Tusuz, Arbanë, Kurrillë, Zym etj, raporton PrizrenPress.

“Ky vit është karakterizuar sidomos me degradimin urbanistik të qytetit. Ndërtimi i objekteve pa leje, neglizhenca e inspektorëve për ta kryer punën e tyre, tejkalimi i kritereve për ndërtim dhe mbindërtimet, kanë krijuar një gjendje të tillë ku është dëmtuar në masë edhe trashëgimia kulturore dhe historike e qytetit”, theksoi ai.

Rexhaj tha se dëmtimi dhe dështimi i ruajtjes së trashëgimisë kulturore-historike në Prizren ka qenë njëri ndër faktorët që ka imponuar edhe miratimin e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit më 2011, ligj i cili është kundërshtuar njëzëri nga gjithë qytetarët e komunës së Prizrenit.

“Ndërsa në anën tjetër, miratimi i “Rregullores për trajtimin e ndërtimeve pa leje’’ nga Asambleja Komunale e Prizrenit, ishte tregues i paaftësisë dhe dorëzimit të pushtetit lokal para njerëzve që sfidojnë ligjin me qëllim të realizimit të interesave partikulare në dëm të interesit publik”, tha Rexhaj.

Qeveria lokale e Prizrenit,sipas tij, sikurse edhe në vitet tjera,edhe këtë vit ka qenë qeveri e drekave dhe e darkave, qeveri e shpenzimeve marramendëse, qeveri e rehatisë dhe luksit të zyrtarëve lokal, qeveri e keqmenaxhimit dhe e plaçkitjes së parasë publike.

Këto konstatime janë evidentuar edhe në të gjeturat e dhjetëra hulumtimeve të organizatave të ndryshme jo qeveritare që kanë monitoruar punën e organeve të pushtetit lokal, përfshirë këtu edhe të gjeturat e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren, Rexhaj tha se qeveria lokale e Prizrenit, gjatë këtij viti e ka degraduar në tërësi edhe sistemin arsimor, duke e shndërruar atë në një mekanizëm politik për punësimin e militantëve partiak, për diferencime ideo-politike dhe për largim nga puna të mësimdhënësve që nuk pajtohen me pushtetin.
“Nëpër konferencat tona për shtyp ne kemi evidentuar me emra dhe mbiemra, drejtorët, zëvendësdrejtorët dhe profesorët militantë të cilët i shërben partisë dhe në asnjë mënyrë arsimit në komunën e Prizrenit. Përpos kësaj Drejtoria e Arsimit në Prizren është strumbullari i korrupsionit që zgjatet nga Nexhat Çoçaj dhe ravijëzohet te Ramadan Muja. Ne gjatë këtij viti i patëm ngritur një kallëzim penal, drejtorit të kësaj drejtorie, Nexhat Çoçajt për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, mashtrim në detyrë për keqpërdorim të parasë së taksapaguesve prizrenas”, tha Rexhaj.

Ai tregoi se gjatë këtij viti, Vetëvendosje! për Prizren, ka ngritur edhe një kallëzim penal ndaj Kryesuesit të Asamblesë së Prizrenit, Nijazi Kryeziut për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare. “Ne patëm konsideruar se pas miratimit të Planit Rregullues Urban” për lokacionin Qendra e Re-2 të qytetit të Prizrenit, Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prizrenit, Nijazi Kryeziu nxjerr një VENDIM tjetër në faqen zyrtare i cili për nga ana teknike është identik me vendimin e miratuar nga Kuvendi, kurse për nga ana përmbajtjesore e ndryshon tërësisht vendimin e miratuar, dhe rrjedhimisht ka kryer këto vepra penale: Neni 339 “Shpërdorim i Detyrës Zyrtare dhe i Autorizimit”, dhe Neni 348 “Falsifikim i Dokumenteve Zyrtare”.

Komuna e Prizrenit, sipas tij, është komuna e vetme në Republikën e Kosovës, e cila pothuajse të gjithë zyrtarët në strukturën udhëheqëse të saj i ka të akuzuar për vepra penale që janë bërë gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik. ”Pavarësisht akuzave dhe aktakuzave të vazhdueshme, pavarësisht skandaleve dhe reputacionit të pistë, deri më tani asnjë zyrtar komunal nuk ka dhënë dorëheqje”, tha Rexhaj.

Ai premtoi se Vetëvendosje ! në Prizren do të vazhdojë me kritikë dhe aktivitete të vazhdueshme kundër këtij pushteti të padrejtë i cili ka degraduar deri në atë masë sa që është kthyer kundër qytetarëve të vetë./Indeksonline/

Lini një koment