Kalo te lënda

Policia e Kosovës, shembulli i ndërtimit të shtetit demokratik

403x30242605policia-e-kosovesPolicia e Kosovës është shembulli i mirë i ndërtimit të shtetit demokratik, u shpreh sot ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi gjatë ceremonisë së gradimit të 16 zyrtarëve policorë me gradën nënkolonel. Në ceremoni u prezantua edhe raporti i aktiviteteve të policisë për këtë vit.

Gradimi i 16 zyrtarëve policorë të Kosovës me gradën nënkolonel u bë sot me ç’rast ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi tha se vitet në vijim, nuk do të ketë më pengesa të avancimit të zyrtarëve policorë.Ai siguroi se MPB ka buxhet të mjaftueshëm, ndërkohë që beri te ditur se Policia e Kosovës do të përforcohet me njësitet vepruese nga ajri.

“Një sukses i veçantë është arritur në fushën e luftimit të krimit të organizuar. Përkrahja e ministrisë në këtë fushë ka qenë e vazhdueshme dhe si rezultat ne kemi miratuar edhe strategjitë kundër krimit të organizuar, trafikimit me narkotik, dhe terrorizmit. Angazhimi juaj dhe koordinimi me mekanizmat shtetëror kanë treguar rezultate në luftimin e krimit të organizuar dhe shumë shtete i’u kanë lakmi”, tha Rexhepi.

Ndërkaq Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni tha se profilizimi i PK –së përmes reformave të arritura deri më tani kishte për qëllim që Policia të jetë më afër qytetarëve. Ai tha se sot Policia e Kosovës është model në rajon.

“Partneriteti i arritur me shtetet e rajonit dhe me gjerë ka bërë që PK-ja të jetë e angazhuar në shumë operacione komplekse të drejtuar kunder krimit të organizuar transkufitar “, tha Maxhuni.

Policia e Kosovës rezultate të larta ka arritur në luftën kundër substancave narkotike ku si rezultat i kësaj është shtuar sasia e konfiskimit të këtyre substancave si mariuhanë 445 për qind, heroinë 53 për qind kokainë 168 për qind dhe bimë kanabisi 193.7 për qind. Ndërkaq në luftën e parandalimit si dhe luftimit të trafikimit me qenie njerëzore janë kontrolluar 554 lokale, janë identifikuar 54 viktima të trafikimit, prej tyre janë asistuar për riatdhesim dhe rehabilitim 42 viktima.

Lini një koment