Britanikët do të votonin për dalje të vendit nga BE-ja
Sipas hulumtimit më të ri sociologjik nga Aj-Si-Em, 51 për qind e britanikëve janë për dalje të vendit nga BE-ja, ndërsa 40 për qind do të donin të mbeten anëtare të Unionit.
Këto të dhëna janë marrë nga hulumtimi i porositur nga gazeta “Gardian”.
Hulumtimi tregoi se janë paraqitur ndryshime të mëdha në disponimin e britanikëve në krahasim me periudhën prej para dhjetë viteve, kur 68 për qind e të anketuarve dëshironin që të mbeten në BE, ndërsa 19 për qind ishin për dalje.
Vitin e kaluar raporti ishte 40 për qind (për qëndrim) përkundër 49 për qind (për dalje).
Raporti ndaj BE-së shpjegohet me krizën aktuale shumëmujore në eurozonë, që është ndjekur nga druajtjet e lidhura me falimentimin eventual të valutës së përbashkët.
Parlamentarët britanikë kërkojnë që kryeministri Dejvid Kameron të organizojë referendum për fatin e anëtarësimit të vendit në BE. Në fillim të vitit të ri kryeministri do të mbajë fjalim për marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe Evropës kontinentale. Pritet që ai ta shfrytëzojë këtë rast që të propozojë që pas vitit 2015 të mbahet referendum për kushtet e anëtarësimit britanik.
