Mbi 9.5 milionë euro për një kilometër rrugë
9 milionë e 683 mijë euro i ka kushtuar deri më tani Qeverisë së Kosovës, një kilometër rrugë e Autostradës “Ibrahim Rugova”. Kjo ngase për 60.4 kilometrat e përfunduar deri më tani nga buxheti janë dhënë 584 milionë e 881 mijë euro.
Ministri i Infrastrukturës (MI), Fehmi Mujota duke treguar se sa janë shpenzuar deri më tani për këtë autostradë, ka thënë se Rruga e Kombit do të përfundojë në vitin 2013 dhe se buxheti për pjesën e mbetur tashmë është ndarë.
MI-ja për vitin që po vjen ka 310 milionë euro që nënkupton 10.6% më shumë buxhet se në vitin 2012 dhe 1.3% më shumë buxhet për shpenzimet operacionale.
Kur ka folur për hekurudhat ai ka thënë se nuk janë lënë anash por që sipas tij kërkon kohë dhe planifikim.
Për 18 kilometra hekurudhë nga Kosova në Shqipëri ai ka thënë se janë të përballueshme lehtë, por që sipas Mujotës, pas bashkëpunimit më Shqipërinë do të sjellin propozimet e të dyja palëve.
“Pas takimit me BERZh, kemi sinjale shumë pozitive që shtetet mund të ofrojnë programet e tyre, ne tanimë do bashkëpunojnë ngushtë me Shqipërinë në mënyrë që në kohë të bëjmë propozimet tona, kërkesat tona dhe ne besojmë shumë se këto projekte do të hyjnë në agjendën e zhvillimit ekonomik të Kosovë, Shqipërisë dhe rajonit”, ka thënë ai.
Mujota ka thënë se gjatë vitin që po lëmë pas kanë punuar mbi 70 projekte kapitale dhe janë shtruar mbi 100 kilometra rrugë.
Ndërsa për Autostradën “Ibrahim Rugova”,Mujota ka thënë se do të përfundojë në vitin 2013 dhe kjo dihet që do të jetë vetëm deri në Besi.
“Rruga e shtatë, Rruga e Kombit do të përfundojë sipas projektit, gjatë vitit 2013. Projekti është i parapara deri tek Besia si i kontraktuar, buxheti është i paraparë për vitin 2013 dhe gjithçka do të shkojë si duhet. Ndërsa vazhdimi i rrugës për në Merdarë, përkatësisht korridori shtatë, mbetet çështje e diskutimeve, teknikisht jemi të përgatitur, është një paraprojekt për këtë por është një projekt në vete që kërkon buxhet të caktuar, dhe besojë se KE-ja do të na përkrahë në këtë”, ka thënë ai.
Mujota ndër të tjera ka thënë se në vitin që po hyjmë ka buxhet 10.6% më shumë se në vitin që po e lëmë pas.
“Planifikimi për këtë vit është 310 milionë euro për Ministrinë e Infrastrukturës, nënkupton 10.6% më shumë buxhet dhe 1.3% më shuam buxhet për shpenzimet operacionale. Nga ky buxhet 306 milionë euro do të shfrytëzohen për projekte kapitale, rruga e Kombit vazhdimi i punimeve, autostrada Hani i Elezit, ajo për Prishtinë – Pejë si dhe Prishtinë – Mitrovicë, si dhe 4 milionë shpenzime tjera operative”, ka thënë ai.
Gjatë 2012-ës, sipas të dhënave të MI-së, Kosovës i janë shtuar 21 mijë e 597 shoferë të rinj, e sa i përket linjës ajrore licenca deri tani kanë 42 Aviokompani, ndërsa Hapësira e Lartë ajrore i është dhënë për 3 vjet Hungarisë, kurse operimet jetësimi do të nis nga qershori i vitit 2013.
Ndër sfidat që Mujota mendon se e presin është dinamizimi dhe bashkërendimi me dikasteret tjera lidhur me shpronësimin e pronave, përmirësimi i sinjalistikës dhe ruajtja e saj nga dëmtimet e shumta, ngritja e kualitetit të mirëmbajtjes në rrugët e patrajtuar për një kohë të gjatë si dhe reforma në administratë dhe krijimi i kushteve më të mira për punë për stafin e ministrisë.