Kalo te lënda

Hoxhaj: Çdo muaj nga një njohje

f_1227130817907_aMinistri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj vlerëson se vitin 2012 ka qenë një vit i suksesshëm në politikën e jashtme, ku është arritur çdo muaj të vij nga një njohje për Republikën e Kosovës nga anë e kënd globi.

Ai në një intervistë dhënë për agjencinë e lajmeve “Kosovapress”, ka thënë se Kosova do të marr një vendim për të filluar procedurat për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por nuk ka precizuar se kur mund të ndodh një gjë e tillë.

Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për Hoxhajn në këtë fazën e parë është për relacion normal dhe jo për fqinjësi të mirë mes dy shteteve.

Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj vlerëson se politika e jashtme në këtë vit ka luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, ku është arritur që Kosova të largoj mbikëqyrjen ndërkombëtare në vend.

“Viti 2012 ka qenë një vit shumë i suksesshëm për Kosovën dhe jo vetëm për politikën e jashtëm, me që gjatë këtij viti kemi arritur që të largojmë mbikëqyrjen ndërkombëtare për Kosovën me të cilin akt Kosova është një vend me pavarësi të plotë dhe sovranitet të plotë. Po ashtu kemi pas edhe progres në fushën e integrimeve evropiane. Ndërsa sa i takon njohjeve Kosova gjatë këtij viti ka shënuar një progres me që çdo muaj kemi marr nga një njohje. 12 vende e kanë njohur formalisht dhe zyrtarisht Republikën e Kosovës dhe këto njohje flasin për një gjeografi globale”, ka theksuar ministri Hoxhaj.

Ai ka thënë se Kosovën deri më tash e kanë njohur më shumë se gjysma e shteteve të botës dhe janë rritur gjasat që edhe ky shtet të jetë anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por sipas ministrit nuk do të ndiqet rruga e shtetit të Palestinës për anëtarësim, pasi që siç thotë ai këto dy shtete nuk kanë asgjë të përbashkët në krijimin si shtete.

Ai ka thënë se Kosova do të filloj procedurat e anëtarësimit në OKB , gjithnjë pasi të bëjnë një analizë të thuktë se bashku me shtetet mike.

Ndërkohë për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Hoxhaj mendon që në këtë fazë po synohet një relacion normal mes dy shteteve dhe jo për fqinjësi të mirë.

Diplomati Hoxhaj platformën serbe vazhdon të quaj një dokument me përmbajtje raciste për popullin e Kosovës, duke shtuar se ky dokument e kërcënon sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Ai ka premtuar që edhe në vitin 2013 do të bëjë përpjekje maksimale që të punoj shumë, që të ofroj një dinamikë të madhe në politikën e jashtme, që të përfaqësoj, promovoj dhe prezantoj Kosovën jo vetëm në Evropë, por në çdo cep të botës./Telegrafi/

Lini një koment