Dyshohen për manipulime me tender
Hetuesit policor nuk u larguan nga komuna e Kaçanikut me arratisjen e ish-kryetarit, Xhabir Zharku.
Ata po vazhdojnë hetimet edhe ndaj disa zyrtarëve të tjerë komunal të cilët dyshohen se kanë manipuluar me tender.
Burimet e Indeksonline brenda në Kuvendin Komunal bëjnë të ditur se departamenti i Krimeve Ekonomike, tashmë ka marrë dosjet e 5 tenderëve, në të cilët dyshohet se ka pas keqpërdorime.
Për këtë shkak , Zeqir Selmani, shefi i zyrës së prokurimit ne Komunën e Kaçanikut, është intervistuar tri ditë më parë nga hetuesit në Ferizaj për disa orë.
“Po, shefi i prokurimit ka qenë në Ferizaj, me ftesë të krimeve ekonomike. Policia, ka marrë dosjet e tenderit për disa tender. Disa janë tender të më hershem. Bëhet fjalë për tenderin ‘Gjelbërimi i një pjese të qytetit’, ‘Furnizim me laptop’, ‘Asfaltimi i rrugës Gajre’, ‘Furnizim me materiale shpenzuese, letër’, edhe një tjetër më dukët”, ka thënë për Indeksonline, Hajrush Dollovi, zëdhënës në Komunën e Kaçanikut.
Por, këto nuk janë keq përdorime e vetme që zyra e prokurimit mund ti ketë bërë.
Agjencioni Kundër Korrupsionit, para pak ditësh ka vërejtur shkelje drastike të Ligjit, lidhur me një tender që e ka dhenë kjo komunë, çka edhe i ka drejtuar një opinion ku e fton komunën që ti shmangën thyerjes së Ligjit të Prokurimit.
Për tenderin “Furnizim me material harxhues – administrativ për SHCK-në, Shkollat, Zjarrfiksat dhe Shëndetësinë”, kundër-korrupsioni ka vërejtur se zyra e prokurimit të Kaçanikut i ka dhenë këtë tender Kompanisë “Era” dhe Kompania “Abetares-Es”, në kundërshtim me ligjin.
Edhe pse, prokurimi në njoftimin për kontratë ka kërkuar që kompania garuese të posedoi, kartela bankare dhe ndonjë dëshmi tjetër për qarkullim financiar, dy kompanitë fituese nuk e posedojnë këtë kërkesë. Po ashtu, prokurimi komunal tek pika 22.1 ka kërkuar që periudha e vlefshmërisë së tenderit të jetë 90 ditë, kurse kompania “Era”, sipas formularit të dorëzimit të tenderit shihet se ka ofruar afat të vlefshmërisë vetëm për 60 ditë.
Për komunën e Kaçanikut, kjo nuk është kushedi se ç’fare shkelje.
“Po e kemi marrë opinion e Kundër-korrupsionit. Zyrtarë të prokurimit kanë thënë se pajtohen me atë opinion, dhe kanë deklaruar se do ta anulojnë atë aktivitet të prokurimit”, ka thënë Dollovi. Megjithatë prokurimi komunal ende nuk e ka anuluar këtë tender. /Indeksonline/
