Thaçi: Zbatimi i IBM-it, sipas planit
Më 31 dhjetor të këtij viti do të fillojë të zbatohet marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit edhe në dy pikat tjera kufitare me Serbinë, në Bërnjak dhe te Dheu i bardhë. Kështu ka deklaruar sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë, ku ka vlerësuar se IBM po zbatohet në praktikë sipas marrëveshjes mes dy vendeve të arritur në Bruksel.
Ai nënvizoi se të gjitha pikat doganore dhe kufitare me Serbinë, për herë të parë po hyjnë në një proces normal të funksionimit, në nivel shtetërore.
“Tani kemi edhe ndryshim real të gjendjes në terren. Dy pikat kanë filluar së funksionuari. Ndërsa më 31 të këtij muaji do të fillojnë së funksionalizuari edhe dy pikat tjera që do të punojnë dhe janë kryer të gjitha përgatitjet. Në Bërnjak dhe te Dheu i Bardhë. Kështu që Qeveria e Kosovës ka kryer të gjitha përgatitjet prandaj gradualisht pikat doganore dhe kufitare me Serbinë do të hyjnë për herë të parë në një proces normal të funksionimit”, theksoi Thaçi, siç transmeton RTK.
Ndërsa zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi ka përsëritur edhe një herë kundërshtimin e Qeverisë së Kosovës, rreth platformës së Serbisë.
“Unë i ftoj qytetarë serb në veri që të integrohen në institucionet e Kosovës. Bashkë me ne dhe faktorin ndërkombëtarë të respektojnë planin e Ahtisarit dhe të binden që askush nuk kujdeset më shumë se qeveria e Kosovës për ta. Të tjerët vetëm krijojë iluzione”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar plani vjetor i punës së Qeverisë për vitin 2013, shqyrtimi i planit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe është miratuar propozimi për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.