Përmbledhje: 2012 – viti i përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë
Fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, dialogu me Serbinë, situata në veri të Kosovës, Studimi i Fizibilitetit, reforma kushtetuese dhe së fundi, lirimi nga Tribunali i Hagës i ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, ishin zhvillimet kryesore politike që përcollën Kosovën gjatë vitit 2012.2012-ta shënoi përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Kosova hapi një kapitull të ri në procesin e shtetndërtimit, por sfida të reja, sidomos në procesin e integrimit evropian, e presin gjatë 2013-ës.
Por, në mesin e tyre, padyshim që ngjarja me kryesore u vlerësua 10 shtatori, kur Grupi Drejtues Ndërkombëtar, mori vendim për t’i dhënë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës tash përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit. Kosova hapi një faqe të re në historisë e saj. Diplomatë perëndimorë dhe udhëheqës të institucioneve të Kosovës, thanë se vendi me sukses arriti të përmbushë obligimet e pakos së Marti Ahtisarit, por, sfida të reja akoma e presin Kosovën.
“Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar. Pas përfundimit të detyrave të nevojshme administrative të brendshme, Zyra Civile Ndërkombëtare do të mbyllet në fund të vitit 2012. Me efekt të menjëhershëm, Plani Gjithëpërfshirës i Statusit të Kosovës, nuk ekziston më, si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës tani përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit”.
Ky ishte deklarimi zyrtare i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën.
Shefi në largim i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Peter Faith, i cili për më shumë se katër vjet e gjysmë mbikëqyri zbatimin e planit të Marti Ahtisarit, thotë se ky plan është zbatuar në mënyrë substanciale dhe për këtë ai ndihet mirë.
“Kudo komuniteti shqiptar me ka dhënë besimin dhe kanë përmbushur të gjitha ato premtime që ata kanë bërë. Serbët në Kosovë ata ndihen sot më të sigurt dhe gëzojnë më shumë shanse kur ata përfshihen në institucione, sesa në raste kur ata ngelen të izoluar”, tha Peter Faith.
Këtyre angazhimeve të qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të tyre, iu gëzuan të gjithë pjesëmarrësit që morën pjesë në aktivitetet e shënimit të fundit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, këtë e quan sukses të përbashkët.
“Kosova që përmbylli me sukses fazën e mbikëqyrjes së pavarësisë së saj është sukses i yni i përbashkët dhe kjo tregon se institucionet e vendit dhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë të përkushtuar dhe të përgjegjshëm të kryejnë të gjitha obligimet në funksionimin e shtetit në të gjitha segmentet”, tha presidentja Jahjaga.
Në të njëjtën linjë shprehet edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se Kosova ka arritur në shkallën që të trajtohet e barabartë me shtetet tjera. Sipas kryeministrit Kosova dhe qytetarët e saj tash janë të vetëdijshëm për përgjegjësitë që u takojnë.
“Dialogu dhe mirëkuptimi duhet të vazhdohen. Zgjidhjet duhet të arrihen dhe popujt duhet të pajtohen .Edhe një kapitull sapo u mbyll dje në Ballkan, ai i emergjencës i asistencës dhe i mbikëqyrjes, mirëpo po ashtu u hap një kapitull i ri, ai i zhvillimit i pajtimit dhe bashkëpunimit të popujve mes shteteve”, thotë kryeministri Thaçi.
Interesimi i bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën nuk do të mungojë edhe pse u hoq mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë. Kështu konstatonte zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Filip Riker.
“Vendimi për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë është një konfirmim i arritjeve të Kosovës, përparimit dhe një votëbësim për të ardhmen e saj me një shoqëri të pavarur shumetnike. SHBA-së, e mbështetin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit të plotë veriatlantik”, thotë diplomati amerikan Philip Ricker.
Arkitekti i planit që mundësoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Marti Ahtisari, thotë se me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, Kosova duhet ta tregojë veten si një shtet i pavarur. Sipas tij, Kosova dhe Bashkimi Evropian janë një pjesë e pandashme e të gjitha proceseve.
“Bashkimi Evropian duhet të gjejë një mënyrë për të pranuar këta dy milionë njerëz, të cilët banojnë shumë afër”, thotë Marti Ahtisari.
Analistët dhe njohësit e zhvillimeve në Evropën Juglindore, thonë se përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, është një hap i madh drejt sovranitetit të plotë të Kosovës.
Johana Deimel, njohëse e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, mendon se megjithatë, Kosova nuk është ende një shtet që mund të ecë në këmbët e veta, përderisa, në Kosovë të jenë të pranishme misionet e tjera ndërkombëtare që po i lë pas Zyra Civile Ndërkombëtare.
“Komuniteti ndërkombëtar mund të festojë një lloj të misionit të kryer. Ndërsa, populli i Kosovës një hap të madh drejt një shteti sovran. Por, megjithatë sovraniteti i Kosovës është ende i kufizuar. Vendi edhe më tej ka prani të misioneve ndërkombëtare: EULEX, OSBE, UNMIK dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it në terren”, thotë Johana Deimel.
Të gjitha aktivitet gjatë 10 dhe 11 shtatorit që shënuan fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, u mbajtën në një atmosferë festive. Megjithatë, ishte Lëvizja Vetëvendosja dhe lideri i saj, Albin Kurti, që përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë e cilësonin si një farsë.
“Nuk duam të bëhemi pjesë e kësaj farse e cila nuk shënon përmbylljen e as mbylljen, as fundin e as përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, por përkundrazi e heq mbikëqyrjen e jashtme për ta bërë të brendshme të fshehur brenda vet ligjeve tona”, thotë Albin Kurti.
Për t’ua kujtuar autoriteteve kosovare se nuk ka përfunduar gjithë puna e rrugëtimit të Kosovës drejt integrimit evropian me heqjen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, u kujdes, zёvendёskryesuesi i delegacionit tё Parlamentit Evropian pёr Evropёn Juglindore, Jelko Kacin. Në një deklaratë të shkruar për media, ai uroi autoritetet e Prishtinës për këtë të arritur, por tha se përgjegjësitë tash janë shtuar.
”Është edhe moment kur duhet kujtuar sa rrugё ka akoma Kosova tё kaloj pёr konsolidimin e vёrtetё tё sundimit tё ligjit. Eulex-i dhe KFOR-i mbeten nё terren pёr t’ju ndihmuar institucioneve nё Prishtinё, mirёpo pёrgjegjёsia e Qeverisё sё Kosovёs nё zbatimin e sundimit tё ligjit rritet edhe mё shumё sesa nё periudhёn e kaluar”, thotë Jelko Kacin.
Por, çfarë do të thotë heqja e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës për disa qytetarë të vendit. A do të ketë ndryshime në jetën e tyre, apo, i gjithë ky proces ka të bëjë vetëm me imazhin e Republikës së Kosovës.
Sidoqoftë, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, thoshin se tash pas heqjes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, Kosova hapi një faqe të re të historisë e saj. Është synim i qytetarëve të Kosovës, që si popull i lirë dhe i dinjitetshëm, të bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane. Kosova po realizon një ëndërr të kamotshme për liri, pavarësi e demokraci, për të cilën punuan e sakrifikuan gjenerata të tëra.
Udhëheqësit politikë kosovarë njëzëri u shprehen para shumë diplomatëve dhe përfaqësuesve të shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës se dallimet politike brenda vendit i kanë shndërruar në përparësi. Kosova nuk do ta harrojë të kaluarën, po e ndërton të tashmen për t’i hapur rrugë të ardhmes.
Fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë ndodhi. Kosovën tash e presin sfida të tjera. Një ndër to është rifillimi i dialogut me Serbinë që siç thuhet, synim ka përmirësimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Këtë dialog e kërkon Bashkimi Evropian dhe e mbështesin edhe SHBA-së. Kështu thoshte zëvëndësndihmësi i sekretares amerikane të Shtetit, diplomati Philip Ricker.
”Ne besojmë se Serbia dhe Kosova kanë të ardhme evropiane dhe secili vend duhet të bëjë punën e vet në përmirësimin e marrëdhënieve dhe ne dhe partnerët tanë Evropian e mbështesim dialogun i cili është thelbësorë në shekullin 21. Është rruga që duhet të ndiqet”, tha Philip Ricker.
Për mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë shprehet edhe kryeministri, Hashim Thaçi. Por, ai thotë se Kosova nuk ka më asgjë për të humbur.
”Unë jam i bindur se normalizimi i raporteve shtetërore me Serbinë është i domosdoshëm për evropianizimin e rajonit. Por ky normalizim me asnjë kusht nuk do të kalojë në kurriz të shtetësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës sonë të re”, tha kryeministri Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, më në fund takohen në Bruksel nën ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Kathrin Ashton. Të dy palët pajtohen në vlerësimin se dialogu politik duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve, si dhe në përparimin e procesit të integrimit evropian, por dallimet mbi përkufizimin ”normalizim” janë të dukshme. Bashkimi Evropian, ndërmjetësues i dialogut politik Kosovë-Serbi, inkurajon palët që të vazhdojnë me normalizimin e marrëdhënieve.
As Kosova e as Serbia nuk prezantojnë platforma të detajuara për biseda. Megjithatë, kryeministri Thaçi, thotë se platforma e Qeverisë së Kosovës në bisedimet politike me Serbinë, është Kushtetuta e Kosovës, Rezoluta e Kuvendit dhe Deklarata e Pavarësisë. Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, thoshte se Serbia tashmë e ka zgjidhjen për Kosovën, me të cilën aludonte në ndarjen e saj. Por, kryeministri, Hashim Thaçi, thoshte se Serbia nuk mund të bëjë plan për Kosovën, sepse, bisedimet po ndodhin ndërmjet dy shteteve.
”Serbia nuk ka të drejtë as morale, as ligjore as kushtetuese, të prezantojë plan për një vend tjetër në këtë rast për Kosovën. Por edhe plani i Serbisë duhet të jetë plan evropian për të gjithë rajonin dhe duke njohur në mënyrë reciproke njëra tjetrën, Kosova dhe Serbia”, thotë kryeministri Thaçi.
Kundër ndarjes së Kosovës shprehej qartë sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e cila erdhi në Prishtinë, së bashku me shefen e diplomacisë evropiane, Kathrin Ashton. Të dy zonjat kërkonin përmirësim të raporteve Kosovë-Serbi.
”Dua të jem e qartë jo vetëm këtu në Prishtinë por secili që na shikon dhe dëgjon në rajon, SHBA-së, janë të prera plotësisht në qëndrimin e tyre për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe duan të shohin sundim të ligjit kudo në Kosovë”, tha Hillary Clinton.
Sekretarja Klinton, tha se palët duhet të vazhdojnë të punojnë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash, të arrijnë marrëveshje në fusha të reja dhe të avancojnë me masa konkrete për normalizimin e marrëdhënieve. Sipas saj, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është thelbësore për progresin e ardhshëm të Kosovës dhe Serbisë.
”Në besojmë se dialogu që kryeministri Thaçi ka filluar me zonjën Ashton dhe me kryeministrin e Serbisë, është esencial sepse siguron një rrugë të një stabiliteti afatgjatë, për prosperitet dhe paqe për të gjithë popujt në rajon”, tha sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton.
Në të njëjtën linjë shprehej edhe shefja e diplomacisë evropiane, Kathrin Ashton, e cila e vlerësonte guximin e kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit Daçiq për tu takuar.
”Unë e di që për popullin e Kosovës me historinë dhe frikën që ka nuk është i lehtë, por ne duam tu bëjmë thirrje se ky dialog është që të përmirësohet jeta e njerëzve”, tha baronesha Ashton.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e tij thoshte se ai nuk ka ndonjë nostalgji apo dëshirë për të takuar lidershipin aktual të Serbisë, por sipas tij, ky proces, është në interes të Kosovës dhe procesit të saj integrues.
”Unë, personalisht, nuk vuaj nga ndonjë nostalgji për t’i takuar udhëheqësit e një shteti që kanë shkaktuar vuajtje shekullore deri në përmasat e gjenocidit për qytetarët e vendit tim”, thotë kryeministri Thaçi.
Por, kurrsesi nuk po mund të pajtohet për takimet e kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, lëvizja Vetëvendosje. Madje, njëri nga deputetët e këtij subjekti parlamentar në opozitë, Visar Ymeri, takimet e Thaçit dhe Daçiqin, i cilësonte dhe vazhdon t’i cilësojë takimet, siç thotë, kriminale.
”Takimi me Ivica Daçiqin është takim kriminal. Ky person, Ivica Daçiq si zëdhënës dhe bashkëpunëtor më i ngushtë i Millosheviqit, ka qenë drejtpërsëdrejti i inkorporuar dhe përfshirë në të gjitha planet kriminale për shfarosjen e shqiptarëve nga Kosova”, theksoi Ymeri.
Por, janë subjektet tjera politike opozitare në Parlamentin e Kosovës që mbështesin Qeverinë në dialogun politik me Serbinë edhe pse ato nuk duan të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës. Megjithatë, nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, emërohet koordinator politik në bisedimet Kosovë-Serbi.
Analistët politikë nga ana e tyre, mendojnë se skena politike kosovare dhe Qeveria e Kosovës, nuk ka nevojë të frikësohet nga bisedat politike me Serbinë sepse në këtë mes është përfshirë edhe SHBA-ja. Analisti politik Driton Lajqi, thotë se megjithatë, duhet pasur kujdes sepse Serbia edhe di të befasojë.
”Kosova nuk ka arsye që të frikësohet. Është me rëndësi që të shikohet përpara, dhe përfundimisht të mbyllet kapitulli i përgjakshëm i konflikteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky duhet të jetë një vullnet i mirë, por, duhet pasur parasysh se Serbia mund të jetë e paparashikueshme dhe mund ta befasojë edhe Kosovës edhe Bashkimin Evropian”, thotë Driton Lajqi.
Por, çfarë do të thotë për Kryeministrin e Kosovës, normalizim i marrëdhënieve me Serbinë?
”Procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është vendimtar për evropianizimin e rajonit. Kosova është e vendosur për këtë proces. Por të jemi të qartë, ora e historisë nuk do të kthehet prapa”, tha kryeministri Thaçi.
Përfshirja e drejtpërdrejtë e diplomacisë amerikane në procesin e dialogut politik me Serbinë, paraqet një garanci të plotë për Kosovën. Por, edhe ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian si akter kryesorë në këtë proces është një garanci me vete.
Ndarja e Kosovës përkatësisht veriu i saj, nuk është opsion, ashtu siç kërkonte pala serbe dhe këtë e bëjnë të qartë edhe zyrtarë tjerë të lartë nga institucionet e Bashkimit Evropian. Në një intervistë për Radio Kosovën, raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek, thotë se në veri Serbia duhet të largoje strukturat e saja paralele.
”Ndarja nuk është një opsion. Secili që po merret me këtë çështje në BE, e ka të qartë dhe është 100 për qind i sigurt se kjo nuk është një zgjidhje apo një alternativë. Veçanërisht baronesha Ashton ka bërë të qartë këtë se kjo është jashtë diskutimi”, thotë Ulrike Lunacek.
Por, megjithëkëtë, gjatë debateve të fundit në kuadër të dialogut politik Kosovë-Serbi, ishin vetë krerët e shtetit serb të cilët hapur folën për mundësinë e ndarjes së pjesës veriore të Kosovës. Por, ndarjen e veriut të Kosovës, apo edhe antonimi për këtë pjesë, kryeministri Hashim Thaçi e quan një ëndërr të Serbisë, e cila sipas tij nuk do të realizohet kurrë.
”Kjo ka qenë një ëndërr e kamotshme e Serbisë. Është një ëndërr që nuk do të realizohet kurrë. Një përgjigje të tillë e kanë marrë edhe nga e gjithë bota demokratike. Por ajo ide që është prezantuar në mediumet serbe do të jetë e parealizueshme në Kosovë. Kosova
është e pavarur, sovrane”, thotë kryeministri Thaçi.
Me gjithë dallimet ndërmjet udhëheqësve kosovar dhe atyre serb sa i përket statusit të Kosovës, të dyja vendet në fund të vitit 2012 jetësojnë marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit e njohur si IBM. Dialogu politik me Serbinë do të vazhdojë dhe takimet e radhës ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe Ivica Daqiç pritet të mbahen në janarin e vitit 2013.
Por, a duhet të kërkojë Kosova favore nga Bashkimi Evropian për faktin që ka pranuar të fillojë një dialog politik me Serbinë, dialog të cilin edhe po e vazhdon. Analistët politik besonin se Serbia me gjasë shumë shpejtë do ta merrte datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi që tashmë ka filluar dialogun politik me Kosovën. Analisti nga institutin për politika zhvillimore, Ardian Arifaj, thoshte se Kosova pos kushteve për Serbinë, shumë gjëra duhet t’i qartësojë edhe me Bashkimin Evropian, si ndërmjetësues i këtij dialogu.
”Kosova edhe bashkësisë ndërkombëtare duhet t’ia bërë të qartë se një raport i Kosovës me BE-në që nuk ka një marrëdhënie kontraktuale, Kosova nuk njihet prej BE-së, kjo gjendje nuk mundë të zgjasë një kohë të gjatë dhe duhet të kërkojë që në fund të këtij procesi të njihet legjitimiteti shtetërorë i Kosovës sidomos nga BE-ja”, thotë Adrian Arifaj.
Kosova kërkon favoret e saj në këtë dialog. Ajo kërkon që Kosova të nisë negociatat me Bashkimin Evropian për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Në Prishtinë, Stefan Fyle, i dorëzon presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, dokumentin e Studimit të Fizibilitetit me të cilin Kosova duhet të nisë reformat në mënyrë që të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin evropian.
Është sundimi i ligjit, reforma në administratën publike, trashëgimia kulturore dhe tregtia, fushat në të cilat Kosova duhet të shënojë përparime. T’i përshtatë ato me legjislacionin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, të mund të fillojnë negociatat për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Kjo u kërkua nga raporti i Studimit të Fizibilitetit që me 10 Tetor iu dorëzua Kosovës. Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, Stefan Fyle, tha se negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit mund të fillojnë shumë shpejtë, nëse Kosova vazhdon progresin.
”Ne do t’ua paraqesim mandatin shteteve anëtare, sapo Kosova të arrijë rezultate në një numër të vogël të prioriteteve afatshkurta që kanë të bëjnë me kapacitetet administrative, me sundimin e ligjit, me mbrojtjen e pakicave dhe me përmirësimin e kapaciteteve tregtare. Nëse vazhdoni të mbani konsensusin e fuqishëm dhe të punoni shumë, mendoj se do të jeni në gjendje që të filloni negociatat në gjysmën e pare të vitit të ardhshëm”, tha Stefan Fyle.
Nga Studimi i Fizibilitetit u kërkua që Kosova të plotësojë disa kritere afatshkurtra në mënyrë që vendi të mund të nisë negociatat për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Ministrja e integrimeve evropiane
Vlora Çitaku, thoshte se sfidë nuk janë kriteret afatshkurtra, por ato afatgjata dhe sfida e vërtetë nisë gjatë negocimit të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
”Sfida e vërtetë është negocimi i marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe përmbushja e detyrimeve që dalin nga procesi i negocimit. Aty do të testohen vërtetë muskujt e administratës sonë mekanizmi i institucioneve tona dhe kapaciteti ynë për të konkluduar Marrëveshjen e Stabilizim Asocmit”, thotë ministrja Çitaku.
Me këtë konstatim të ministres Çitaku, pajtohet një njohës i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, i cili thotë se Kosovës do t’i duhet kohë e gjatë që të konkludohet Marrëveshja e Stabilizim Asocimit.
”Pavarësisht që hapet mundësia që Kosova të fillojë negociatat, Kosovës do t’i merr shumë kohë që ti përmbyll negociatat dhe t’i zbatojë kushtet afatgjata të cilat janë të domosdoshme që të mund të hyjë në fuqi dhe të konkludohet Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian”, thotë Shenoll Muharremi.
Sa do të jenë në gjendje dhe për sa kohë do të mund institucionet e Kosovës të përmbushin këto kritere afatshkurtra të kërkuara nga Komisioni Evropian, në mënyrë që vendi të nisë negociata për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Ministrja e integrimeve evropiane, Vlora Çitaku, me vendosmëri fliste për një afat rekord.
“Ne presim që pas pak muajsh farë pas pak muajsh, dhe jam e bindur që brenda këtij viti që të gjitha parakushtet apo kriteret të ashtuquajtura afatshkurtra të cilat ne duhet t’i përmbushim në mënyrë që të negociojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit tashmë janë realizuar dhe do të realizohen”, thotë ministrja Vlora Çitaku.
Por, ishte vendimi i dhjetorit i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, që Kosovës nuk ia caktuan datën e nisjes së negociatave për MSA-në, dhe ky vendim e zhgënjeu shumë qeverinë në Prishtinë. Megjithatë, qeveria thotë se ajo do të vazhdojë reformat, ndërsa, dhe potencon faktin që ishte mos uniteti i BE-së, ajo që e shtyu procesin e integrimit të Kosovës edhe për një kohë.
Gjatë të gjithë këtyre zhvillimeve dhe pothuaj në të gjitha raportet ndërkombëtare, përmendet veriu i Kosovës si sfida më e madhe që Kosova duhet ta tejkalojë e që është integrimi i serbëve të asaj pjese.
Përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, thonë se çështja e veriut duhet trajtuar me seriozitet dhe me hapa konkret nga qeveria e Kosovës. Në këtë kuadër, ata vazhdimisht i bëjnë trysni që qeveria të nisë një dialog me serbët lokal. Kjo sipas tyre, cilësohet rruga e vetme për ta integruar atë pjesë të Kosovës, e cila që nga paslufta vazhdon të jetë jashtë autoritetit të institucioneve të Prishtinës. Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, thotë se çështja e veriut të Kosovës duhet trajtuar me seriozitet dhe me hapa konkret te qeverisë së Kosovës.
“Deri më tash kemi pasur disa diskutime publike sa i përket çështjes së veriut të Kosovës dhe ne do të vazhdojmë ta diskutojmë këtë çështje me qeverinë e Kosovës dhe ne gjithsesi duhet t’i afrohemi pjesës veriore të Kosovës, duhet të vendosim një dialog me serbët e atjeshëm me qëllim të zgjidhjes së kësaj çështje””””””””””””””””, thotë Samuel Zhbogar.
Të ndodhur para një trysnie të tillë, qeveria e Kosovës bënë lëvizjen e parë. Vendosë ta hap një zyrë administrative në veri të Mitrovicës e cila sipas kryeministrit Hashim Thaçi, nuk është një zyrë e karakterit politik por, vetëm do të kryej shërbime për qytetarët e asaj pjese.
“Ky nuk është një projekt politik, është një zyre që do tu ofrojë shërbime të gjithë qytetarëve, do të jetë në shërbim të qytetarëve që jetojnë aty, është një zyre mundësive dhe në të njëjtën kohë do të jemi të konsultuar me të gjitha autoritetet përkatëse të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare”, thotë kryeministri, Thaçi.
Hapja e Zyrës Administrative e Qeverisë së Kosovës në veri të qytetit të Mitrovicës, kundërshtohet nga përfaqësuesit e serbëve të atjeshëm, por edhe nga përfaqësues të institucioneve në Beograd.
Oliver Ivanoviq, i cili ishte sekretar shtetëror i Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, thoshte se hapja e Zyrës Administrative për veriun e Mitrovicës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është një provokim dhe tendencë për të ndryshuar gjendjen në terren për të ndikuar në rrjedhën e dialogut Prishtinë-Beograd.
”Ky është një akt i provokimit flagrant, i cili nuk ka për qëllim qetësimin e gjendjes, por, përkundrazi shqetësimin e popullatës serbe dhe krijimin e situatave ku janë të mundshme incidentet. Serbët nuk do të pranojnë zyra të tilla, sepse kanë vetëqeverisjen e tyre lokale”, thotë Oliver Ivanoviq.
Por, është Bashkimi Evropian i cili tashmë hapur po vë kushte mbi Serbinë në raport me Kosovën, nëse Serbia dëshiron një datë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në union. Një nga kushtet që i kërkohet Serbisë është shuarja e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, për të cilat flet Oliver Ivanoviq. Zëvendëskryeministri i Kosovës, thotë se kjo është një kërkesë për Serbinë që të dëshmojë rrugën e saj proevropiane dhe të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën.
”Kosova është e interesuar të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore me cilindo shtet, Kosova është e interesuar të jetë në rrugën e saj proevropiane dhe njëkohësisht është e interesuar që të sheh edhe shtetet tjera të jenë të orientuara nga Bashkimi Evropian, dhe jo e kundërta dhe kjo do të kontribuonte në radhë të parë për popujt ku ata qeverisin, pastaj edhe për të tjerët në rajon”, thotë Hajredin Kuçi.
Analistët politik nga ana e tyre thonë se Beogradi nuk ka ndryshuar qasje dhe nuk pritet të ndryshojë sa i përket çështjes së veriut. Nexhmedin Spahiu është analist politik nga qyteti i Mitrovicës.
”Beogradi dëshiron të tregojë se veriu i Kosovës nuk ka një subjektivitet, që nuk drejtohet nga i në tërësi dhe që qeveria e Kosovës atje nuk mund të funksionojë prandaj kërkon të gjej një status republike brenda Kosovës në mënyrë që të shndërrohet Kosova në një federatë si Bosnja dhe Hercegovina”, thotë Nexhmedin Spahiu.
Për një dialog me serbët lokal megjithatë, shprehet edhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Ky komunikim me serbët e veriut sipas tij, është edhe obligim kushtetues i qeverisë së Kosovës.
”Mendoj se institucionet e Kosovës duhet të vendosin një komunikim me qytetarët serb të pjesës veriore të Kosovës. Ky është obligim I yni sikurse për të gjithë qytetarët e pjesëve tjera të Kosovës. Duhet të jetë një kërkesë e institucioneve të Kosovës, nga faktori ndërkombëtar në mënyrë të veçantë nga Brukseli i cili duhet të bëjë një ndikim, s’po them presion por ndikim mbi Beogradin që të shpërbëjë strukturat paralele që ka vendosur në veri të Kosovës”, thotë Jakup Krasniqi.
Por, a mund të luaj ndonjë rol Beogradi në veri të Kosovës. Zëvendësministri e punëve të jashtme në qeverinë e Kosovës, Petrit Selimi, mendon se po, Beogradi mund të ketë rol lehtësues në veri të Kosovës, sikundër që mund edhe t’i vështirësojë gjërat edhe më shumë.
”Beogradi në tërë rajonin mund të luaj rol lehtësues, apo vështirësues dhe kjo është varur prej asaj se kush ka qenë në qeveri. Fatkeqësisht deri tash nuk kemi parë ndonjë rol lehtësues të Beogradit”, thotë zëvendësministri Petrit Selimi.
Përfshirja e drejtpërdrejtë e Beogradit në bisedat eventuale për veriun e Kosovës nuk do të ishte dobiprurëse, mendon analisti politik, profesori Afrim Hoti. Megjithatë, ai thotë se nuk duhet harruar faktin që Beogradi ka ndikim te serbët në veri të Kosovës.
”Unë mendojë se Beogradi nuk duhet të përfshihet në mënyrë direkte në këtë proces, sidoqoftë ndikimi i Beogradit në mënyrë indirekte është shumë domethënës, sepse nëse Beogradi tregon konstruktivitet, atëherë integrimi i pjesës veriore të Kosovës do të jetë shumë më i lehtë”, thotë Afrim Hoti.
Sidoqoftë, para se qeveria e Kosovës të nisë dialog me serbët lokal, ajo miratoi vendimin për themelimin e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, e cila është thënë se do të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët e kësaj pjese të Republikës së Kosovës dhe do të koordinojë angazhimet dhe investimet qeveritare në këtë pjesë të vendit. Me këtë plan qeveria e Kosovës sipas analistëve, po tenton ta futë nën kontroll veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Pothuaj gjatë gjithë vitit 2012, Qeveria e Kosovës ishte e fokusuar në raportet e jashtme të saj. Përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë dhe dialogun me Serbinë, por, nuk munguan as zhvillimet e brendshme. Ajo që veçohet ishte reforma kushtetuese dhe mandati i presidentes Atifete Jahjaga, e cila kërkonte nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e propozimeve të komisionit për ndryshimet kushtetuese të cilat n mënyrë indirekte kërkonin shkurtimin e mandatit të presidentes.
Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese nuk dëshironte të paragjykonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por, vazhdimisht rikujtonte rezolutën e kuvendit të Kosovës para se të zgjidhej Presidentja.
”Para se të votohet Presidentja, Kuvendi ka votuar një rezolutë me të cilën përcaktohet se Presidentja po zgjidhet për një periudhë të përkohshme për të dhënë gjasa ndryshimit të Kushtetutës dhe shkuarjes në zgjedhje. Tash nëse Gjykata Kushtetuese na thotë se kjo po pakëson të drejtat e individit po bie që komplet rezoluta dhe marrëveshja politike dhe agjenda politike bie dhe tash është çështje e Presidentes do apo nuk do t’i lëshojë rrugë shkuarjes në zgjedhje të drejtpërdrejta për President”, thotë Arsim Bajrami.
Sidoqoftë, Arsim Bajrami, thotë se komisioni tashmë e ka përfunduar punën e tij, duke promovuar modelin e presidentit popullor, duke i shtuar kështu edhe më shumë kompetenca postit të presidentit. E gjithë kjo sipas tij është bërë në bazë të marrëveshjes së partive politike.
”Ky proces është zhvilluar nën patronazhin e lidershipit dhe miqve ndërkombëtarë dhe i gjithë amendamentimi i Kushtetutës është bazuar në frymën e marrëveshjes politike dhe një rezolute të kuvendit të Kosovës që ka karakter obligativ që ka paraparë që Kosova të shkojë në zgjedhje të drejtpërdrejta jo më larg së gjashtë muaj pas amendamentiimit të Kushtetutës”, thotë Arsim Bajrami.
Por, çfarë thonë përfaqësuesit e partive politike që ishin pjesë e marrëveshjes e cila mundësoi që të zgjidhet kriza politike me zgjedhjen e Presidentes, Atifete Jahjaga?
Kjo marrëveshje politike u arrit me 6 prill të vitit të shkuar. Zyrtarët e këtyre partive politike, thonë se moszbatimi i kësaj marrëveshje nga ana e presidentes së Kosovës, do të bëjë që qytetarët të humbin besimin në lidershipin politik.
Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, thotë se marrëveshja është e obligueshme të zbatohet. ”Ne duhet ta kemi një të qartë se marrëveshja e nënshkruar ndërmjet liderëve politikë, ajo është një marrëveshje e cila është në fuqi dhe është e obligueshme të respektohet nga të gjithë përderisa nuk do të ketë një marrëveshje tjetër të re”, thotë Adem Grabovci.
Kategorik që kjo marrëveshje politike duhet të zbatohet nga Presidentja, janë përfaqësuesit e LDK-së. Vjosa Osmani, deputete e kësaj partie dhe anëtare e Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese, thotë se kjo çështje tashmë ka të bëjë edhe me obligime juridike.
”Është çështje e moralit dhe integritetit të saj natyrisht, por këtu nuk po flasim për një marrëveshje politike, por për një rezolutë të kuvendit të Kosovës dhe rezoluta e kuvendit krijon obligime juridike”, thotë Vjosa Osmani.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese, Arsim Bajrami, nuk dëshiron që të marr përgjegjësi për çështje të marrëveshjeve politike. Megjithatë, ai thotë se Kosova duhet të respektojë agjendat elektorale, sepse duhet të ketë një president me legjitimitet popullorë dhe me kompetenca çfarë i ka paraparë Komisioni për Ndryshimet Kushtetuese.
E, Gjykata Kushtetuese dha interpretimin e saj, duke konsideruar që rekomandimi i Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale gjashtë muaj pas miratimit të ndryshimeve, e që kjo nënkuptonte që Presidentes t’i ndërpritej mandati, është shkelje e të drejtave të njeriut. E gjithë kjo u interpretua me faktin se Presidentja u zgjodh në Parlament me një mandat pesëvjeçar, pavarësisht faktit që kishte një marrëveshje politike.
Presidentja Atifete Jahjaga, erdhi në krye të shtetit, në prill të vitit 2011. Ajo vazhdon ta ushtrojë mandatin e Presidentes.
Fundi i vitit në Kosovë u shënua edhe me dy ngjarje të rëndësishme që njëra ishte lajm i hidhur për politikën kosovare, ndërsa, tjera ishte lajm i mirë. Arrestimi i deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, nga ana e misionit EULEX, i cili e akuzon atë për krime lufte në një proces rigjykimi. Ndërsa, ishte vendimi i Tribunalit të Hagës për Krime Lufte, që e shpalli të pafajshëm ish- kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Paraburgimi i Fatmir Limajt, një ditë para festimeve për 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, për kryeministrin Hashim Thaçi, ishte një veprim jo i mirë nga ana e misionit EULEX.
”Kjo është e padrejtë, kjo është e papranueshme, kjo nuk është drejtësi”, thotë Hashim Thaçi.
Por vetëm një ditë pas festimeve të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ishte vendimi i Tribunalit të Hagës për lirimin e Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj. Kthimi në Kosovë i Ramush Haradinajt për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, ishte një fitore e madhe e Kosovës dhe luftës së saj çlirimtare.
”Besimi ynë në drejtësi, respektimi i standardeve ndërkombëtare, u vlerësua durimi para së gjithash i zotit Haradinaj, drejtësia e tij dhe bashkëluftëtarëve të tij dhe gjithë bashkëluftëtarëve të UÇK-së. Sot është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët dhe mund të them se pafajësia e zotit Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij është plotësim i gjithë asaj feste madhështore që kishim me 28 Nëntor”, thotë kryeministri Thaçi.
E, ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, nën emocionet e kthimit të tij në Kosovë, thotë se më në fund lufta e drejtë e UÇK-së, u vërtetua në Tribunalin e Hagës.
”Jam gëzuar për të arriturat, për fitoret, jemi mërzitur për vështirësitë dhe sfidat, por sot jam i gëzuar që edhe drejtësia ndërkombëtare konfirmoi se rruga jonë për liri ka qenë e pastër dhe e drejtë dhe po ashtu na mundëson që edhe rruga para nesh do të jetë e mirë dhe edhe ne do të mund së bashku sfidat që na presin”, thotë Ramush Haradinaj.
Sidoqoftë, me gjithë këto zhvillime që ndodhën gjatë vitit 2012, vitin e ardhshëm Kosova e nis me sfidën e radhës, plotësimin e kritereve që kërkohen nga Bashkimi Evropian që ka të bëjë me fillimin e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së. Komisioni Evropian tha se ministrat e jashtëm të unionit do të takohen serish në pranvere për të vlerësuar të arriturat në Kosovë.
E, Qeveria e Kosovës beson se në fund të Janarit 2013 Kosovës do t’i caktohet data e nisjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe kërkon që Bashkimi Evropian të flet me një zë për Kosovën. Çështje tjetër e hapur është vazhdimi i dialogut politik me Serbinë dhe ndikimi i këtij procesi në zgjidhjen për veriun e Kosovës. Në skenën e brendshme politike po ashtu priten zhvillime të rëndësishme që vlerësohet se do të ndikojnë në procesin e shtetndërtimit, që nga reforma zgjedhore e kushtetuese e deri tek konsolidimi i mëtejmë i institucioneve. /standardi.info