PDK-së më shumë i duhet Jakupi se Bajram Rexhepi
Sekretari i PDK-së, Jakup Krasniqi, ka mohuar, të mërkurën, se ka thënë se do të formojë parti të re, porse ka shtuar se “gjithçka varet nga parimet dhe interesi i qytetarëve të Kosovës”.Derisa ministri Bajram Rexhepi thotë se largimi i Krasniqit nuk do ta dëmtonte partinë, kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, nga e ka bazën edhe Krasniqi, thotë se PDK-së, më shumë i duhet Jakup Krasniqi sesa Bajram Rexhepi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka mohuar të ketë thënë se do të formojë parti të re, porse ka shtuar se “gjithçka varet nga parimet dhe interesi i qytetarëve të Kosovës”.
“Unë nuk kam thënë që do të krijoj parti të re… Dhe kurrgjë nuk ka të bëjë me përplasje dhe inate personale, gjithçka varet nga parimet dhe interesi i qytetarëve të Kosovës dhe i të ardhmes së jetës edhe politike edhe publike në Republikën e Kosovës”, ka thënë Krasniqi, në konferencën për media, të fundit për këtë vit, me ç’rast ka shpalosur punën e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, mundësia e largimit të numrit dy të PDK-së, ka nxitur reagime pro e kontra të zyrtarëve të tjerë të partisë më të madhe në vend.
“Sigurisht që nuk e mohoj opsionin, se opsionet janë të shumta. Unë kisha dëshiruar opsionin që është në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Nuk e kam formësuar idenë e plotë në këtë drejtim, shumë do të varet nga zhvillimet”, ka deklaruar Krasniqi, në një intervistë, një ditë më herët për Radiotelevizionin 21, i pyetur për mundësinë e krijimit të një partie të re.
Bajram Rexhepi, njëri nga pesë nënkryetarët e PDK-së, ka deklaruar se largimi eventual i Krasniqit nuk “e dëmton hiq Partinë Demokratike”.
“PDK-ja është e hapur edhe për prurje edhe për shkuarje”, ka deklaruar Rexhepi, për gazetën “Kosova Sot”.
Këta dy kishin pasur një përplasje publike edhe në muajin tetor. Kryeparlamentari Krasniqi e kishte bërë përgjegjës ministrin e Brendshëm për “rrethim të Parlamentit” me policë. Krasniqi ia ndërpreu fjalën Rexhepit kur ai filloi të thoshte se “kryetari i Kuvendit e ka keqpërdorur pozitën e tij…”.
Në shenjë proteste, Rexhepi e lëshoi seancën, duke u përcjell me një “Udha e mbarë të qoftë” nga kreu i Kuvendit. “Kështu e keni kur sillni ministra rrugaçë”, kishte komentuar Krasniqi. Ai madje kërkoi dorëheqjen e Rexhepi për shkak të veprimeve të policisë. Më vonë gjatë ditës, Rexhepi në një konferencë për gazetarë, e akuzoi Krasniqin se është afruar me opozitën dhe se “është i vonë në UÇK”.
Nexhat Demaku, kryetari i Komunës së Drenasit, njëherësh anëtar i Këshillit Qendror të PDK-së, e ka kritikuar deklaratën e ministrit Rexhepi.
“Askush nuk mundet me u ndi aq komod, e sidomos Bajram Rexhepi me i thanë Jakup Krasniqit dil nga partia. Më shumë i duhet Jakupi Partisë Demokratike të Kosovës sesa Bajram Rexhepi”, është shprehur Demaku, për Gazetën Jeta në Kosovë.
Nexhat Demaku, gjatë Kuvendit Zgjedhor në Drenas | Foto: Donjetë Hoxha
Krasniqi ka qenë protagonist edhe në bisedat e përgjuara mes zyrtarëve të lartë të PDK-së, të cilat janë plasuar në internet. Kryeministri Hashim Thaçi e quan bashkëpartiakun e tij “Jakupovski”,
Ndërsa në një bisedë ndërmjet ministres së Integrimeve, Vlora Çitaku, dhe shefit të PDK-së në Kuvend, Adem Grabovci, për punën e Kuvendit dhe të partisë, ky i fundit thotë se “në kontroll e kemi situatën por po na rrëshqet nganjëherë”. “Pa e hjek Jakupin s’ka sen. Po të sabotojnë”, ia kthen Çitaku.
Ndërsa në një bisedë tjetër mes Grabovcit e kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, ky i fundit e shan me nënë Krasniqin. “O ja q…. nanen e nanës, po qeni që po bahet, po pse s’po ja q…. nanen me rrzue a s’po muni a çka u ba”, pyet Lushtaku.
“Jo valla veç mos me u ba skandal se edhe është ka e lyp edhe hiq larg se ka”, thotë Grabovci.
“Pa ia kallëzu vendin nuk e kisha lanë edhe me pas kanë i biri i Adem Jasharit”, ia kthen Lushtakut
Anëtarë të PDK-së në Drenas formojnë parti të re
Derisa Jakup Krasniqi nuk është parë të marrë pjesë në procesin zgjedhor që është gati në përfundim nëpër degët e PDK-së, një grup i anëtarëve të Partisë Demokratike në Drenas, ku edhe e ka bazën Krasniqi kanë paralajmëruar shkëputje nga PDK-ja, si rezultat i pakënaqësisë me përfaqësimin e tyre në strukturën e re partiake në këtë degë.
Shemsi Elezi, këshilltar i PDK-së në Asamblenë Komunale, ka thënë se “me disa përkrahës” do të krijojnë një parti të re politike në Drenas. Ai përmend në mesin e emrave që do të jenë pjesë e këtij subjekti, Xhemajl Berishën dhe Ekrem Francën.
“Entiteti i ri po përgatitet për zgjedhjet lokale në mënyrë që të kemi ndryshime në komunën e Drenasit… Procesi zgjedhor nuk ka dëshmuar se në këtë komunë mund të ketë ndryshime në qeverisjen lokale”, i tha ai, Gazetës Jeta në Kosovë.
Por, Elezi e mohon se formimi i këtij subjekti lidhet me paralajmërimet për mundësinë e largimit të Jakup Krasniqit, i cili në zgjedhjet e fundit parlamentare doli i treti më i votuar në parti, pas Thaçit dhe Limajt, me më shumë se 35 mijë vota.
Kryetari aktual i Degës në Drenas, Nexhat Demaku, tha se nuk është i informuar konkretisht për mundësinë e formimit të një subjekti të ri nga anëtarë të deritashëm të degës që së tij, por shfaq shpresën se askush nuk do të largohet nga Partia Demokratike.
Në një takim që pati në fillim të javës, Këshilli i ri Drejtues i Degës së Drenasit, me shefin e partisë, Hashim Thaçi, u mor vendim që Kryesia të zgjerohet në 25 anëtarë, ndërsa numri i anëtarëve të Këshillit Drejtues të rritet nga 41 në 61.
Por, duket se ky zgjerim nuk i ka kënaqur të gjithë. Nexhat Demaku tha se nuk mund të jenë të gjithë pjesë e strukturës. “Askush nuk është përjashtuar nga partia disa janë në krye të seksioneve, disa në nëndegë e disa në përfaqësim të degës”, tha kryetari i PDK-së në Drenas./standardi.info