Berisha: Shqipëria është vend i zhvilluar
Vetëm pak minuta pasi kreu i opozitës kishte mbyllur takimin e tij të fundit për këtë vit me gazetarët, kryeministri Sali Berisha doli para shtypit ku paraqiti një pasqyrë të gjithë këtij viti. Në pak minuta dy liderët kryesore paraqitën panorama krejt te ndryshme nga njëri-tjetri. Berisha foli për sukseset që ka arritur Shqipëria gjate 2012-ës.
Ai tha se Shqipëria, duke zbatuar eksperiencat më të avancuara në fusha të ndryshme, në pikëpamjen e tij, është shndërruar në një vend të zhvilluar, me prioritet askund tjetër veçse mirëqenies së qytetarëve.
Duke iu referuar të dhënave për ekonominë, Berisha tha se është akuzuar për doza euforie, por ai theksoi se nuk e ka bërë këtë, ndërsa shtoi se rritja ekonomike do të jetë 2 deri në 3 herë më e lartë sesa parashikimet.
Duke iu përgjigjur pohimit të kreut të PS-së, për moslejimin e privatizimit të HEC-eve, Berisha tha se gjithçka është bërë para kamerave dhe transparente. Se a e njeh Rama procesin nuk është e rëndësishme, e rëndësishme është që ai të njohë veten e tij, tha kreu i qeverisë shqiptare, raporton Panorama.
Berisha foli edhe për faturën e shpenzimeve për 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
“Çdo qindarkë e fondeve publike është e botuar online në Thesarin e shtetit. Kane qenë të parashikuara rreth 500 milionë lekë, nuk besoj të jenë shpenzuar të gjitha, por çdo qindarkë e shpenzuar nga qeveria është publikuar në Thesarin e shtetit”, deklaroi kryeministri.
Në mbyllje, kreu i qeverisë tha se përpjekjet e qeverisë kanë vendin e tyre në arritjet e kësaj qeveria, por suksesin ai ia faturoi përpjekjeve të qytetarëve shqiptarë dhe mbështetjes që ata i kanë dhënë reformave. E gjithë kjo, përfundoi kryeministri, na obligon që vitin e ardhshëm dhe vitet që vijnë Shqipëria të pozicionohet edhe më lart.