Tmava i ka përgjimet, por s’ia ka dhënë kujt
Avokati mbrojtës në rastin “Kleçka” dhe “MTPT”, Bajram Tmava, ka mohuar se materialet e përgjimeve kanë dalë prej tij.
“Nuk mendoj se dikush prej neve ka marrë guximin t’i publikojë këto materiale. Nëse vërtetohet se kush e ka bërë shpërndarjen e tyre jam i gatshëm që të jap përgjegjësi”, ka thënë Tmava në “Interaktiv” të KTV-së, transmeton “Koha”. Ai ka pranuar se edhe më herët i ka pasur në dispozicion këto materiale.
“I kam materialet e përgjimeve. Janë 31 CD. Për atë që e kam marrë dhe e kam nënshkruar, jap përgjegjësi. Ende nuk i kam hapur. Unë i hap ato materiale vetëm gjashtë ditë para seancës. Unë kam kërkuar nga gjykatësi që të m’i sjellin materialet e transkriptuara, e jo të incizuara. Ato nuk paraqesin kureshtje për mua”.
Ai ka thënë se janë publikuar materiale më të ndjeshme sesa këto. Sipas tij, kryeministri ka të drejtë ta kërkojë autorin e shpërndarjes dhe publikimit të tyre. /Telegrafi/