Kalo te lënda

Shpërthim në Mitrovicë

digjen-makinat-ksNjë shpërthim i fuqishëm është verifikuar paraditen e së enjtes në veri të Mitrovicës, për fat të mirë pa shkaktuar dëme në njerëz.

Lajmin e bën të ditur “Radio Kosova”, sipas të cilës shpërthimi është regjistruar rreth orës 11:00 dhe dyshohet të jetë shkaktuar nga një granatë dore.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti ka deklaruar se shpërthimi ka ndodhur pranë filialit të bankës “Pro Credit Bank”, por ka saktësuar se ky institucion nuk ka qenë objektivi i atentatit.

Ndërkohë, banorët serbë në veri e kaluan natën duke mbajtur të bllokuara punimet për ndërtimin e pikave ku do të menaxhohen kufijtë me Serbinë.

Sipas raportimeve të gazetës “Koha”, serbët thanë se ata nuk do të largohen që andej pa marrë garanci me shkrim nga Beogradi se nuk do të ketë kufi me Kosovën dhe se ata do të mund të përdorin dokumente serbe.

Nata ka kaluar e qetë, nën mbikëqyrjen e ushtarëve amerikanë dhe gjermanë të KFOR-it, të cilët vazhdojnë të ushtrojnë kontrolle ndaj qytetarëve.

Ndërkohë, kundër zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufijve ka dalë edhe Kisha Ortodokse Serbe, e cila përmes një letre u ka kërkuar autoriteteve që të mos marrin pjesë në atë që ajo e quan “vetëvrasjen e vendit”.

“Nga qeveria dhe Kuvendi i tanishëm i Serbisë pritet që, në vend të pranimit të menaxhimit të integruar të kufirit, të shqyrtohen të gjitha marrëveshjet e qeverisë së kaluar që nuk janë konfirmuar në Kuvend”, thuhet në letrën e Kishës.

Letra në fjalë i është dërguar kryeministrit Ivica Daçiç, presidentit Tomisllav Nikoliç, zv.kryeministrit Aleksander Vuçiç, si dhe liderëve të opozitës.

Në takimin e fundit në Bruksel, kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç ranë dakord që Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit të nisë të zbatohet në katër pika kufitare deri në fund të këtij viti.

Lini një koment