Grabovci: Skandal publikimi, jo biseda e përgjuar
Kryeprotagonisti i aferës së përgjimeve, Adem Grabovci, tregon për herë të parë se ka qenë duke u hetuar nga EULEX-i për ish-Ministrinë e Transportit. Thotë se ia kishin vënë disa SMS përpara për tu ndihmuar që t’i zbërthenin, por ishte përgjigjur se nuk mund të “përgjigjet për fajet e të tjerëve”. Ndërsa lyp rishikimin e mandatit të EULEX-it, thotë se ky mision nuk duhej t’ia jepte mbrojtjes së Fatmir Limajt përgjimet e tij pasi nuk është i akuzuar.
Kur Adem Grabovci kishte dhënë dorëheqje nga posti i zv/ministrit të Transportit e Postë-Telekomunikacionit në vitin 2010, i kishte hapur rrugë EULEX-it për të zhvilluar hetime ndaj tij, thotë ai.
Atëkohë, Grabovci nuk e kishte bërë publik këtë arsyetim. Kishte thënë se po jep dorëheqje pasi nuk mund të mbajë edhe pozitë deputeti edhe të zyrtarit të qeverisë.
Por, në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së tash kallëzon se pse nisen hetimet ndaj tij, raportet me bashkëpartiakët e tij më të cilët flet në përgjimet telefonike të rrjedhura në publik si dhe për kundërshtimet e tij për EULEX-in.
“Kur kam dhënë dorëheqje nuk e pata deklaruar arsyen. E kam ditë që opinioni po e di. I kam hapur rrugë EULEX-it, medieve, por edhe qytetarëve që të më hetojnë”, tha Grabovci.
“Jam njeri, mund të gaboj, por pa vetëdije. Adem Grabovci me vetëdije nuk gabon”, shprehet ai.
Njeriu i përfshirë në gjitha pjesët e përgjimeve të rrjedhura, tregon se ishte intervistuar nga hetues të EULEX-it ku i ishte kërkuar të sqaronte përmbajtjen e disa SMS-ve. “Mi kanë qit do sms-ë të një dëshmitari dhe i kemi zbërthyer me ta bashkë. I kam thënë nuk kam koment. Nuk mund të përgjigjem për fajet e të tjerëve”, tha Grabovci.
Por, sipas tij, kishin kaluar dy vite pas nisjes së hetimeve të EULEX-it nën dyshimin për korrupsion në rastin “Limaj-MTPT”, dhe ai më nuk ishte informuar nga askush se a është dëshmitar apo i dyshuar në këtë rast.
Misioni evropian, sipas tij, nuk është dashur t’i japë mbrojtjes së Grupit Limaj audioincizimet që ishin pjesë e hetimeve ndaj tij.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së ka përmendur tri veprime të EULEX-it të cilat ai i vlerëson si gabime të mëdha të këtij misioni. Hetuesit evropianë, sipas tij, ose duhet të kryejnë punën më mirë ose duhet të largohen nga Kosova.
Njëri prej gabimeve, thotë ai, është rrjedhja e përgjimeve ndërsa gabim tjetër përben arrestimi i ish-ministrit Fatmir Limaj i cili po mbahet në paraburgim për krime lufte në rastin “Kleçka”.
“Gjuha e përdorur në përgjime, një komunikim normal mes miqsh”
“Me Thaçin (Kryeministrin) njihem që 20 vjet. Me Kadrinë (Veselin) njihem moti. Me Saminë (Lushtakun) më vonë, por jemi miq. Gjuha e përdorur është muhabet miqsh”, thotë ai, për natyrën e bisedave në përgjimet e rrjedhura.
Kjo gjuhë, sipas tij, është normale të përdoret në miqsh e ndeja private. Por skandal, thotë ai, në këtë mes përbën publikimi i bisedave të Kryeministrit të shtetit e jo përmbajtja e tyre.
Ai nuk ka dashur të komentojë në detaje përmbajtjen e bisedave pasi që, sipas tij, ato përbejnë një çështje periferike në skandalin e përgjimeve. /Telegrafi/