Kalo te lënda

Të premten, dita e parë e Kurban Bajramit

Dita e parë e Kurban Bajramit do të jetë të premten më 26 tetor, kështu ka vendosur bashkësia Islame e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i BIK-ut Ahmet Sadiu.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) Ahmeti Sadriu ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të ditës së Arafatit e cila është të enjten dhe kjo sipas tij, e përcakton se dita e parë e Kurban Bajramit është të premten.

“Definitivishte Dita e Bajramit është të premten”, tha Sadriu.

Ndryshe deri sot është thënë se dita e parë e Kurban Bajramit do të jetë të enjten më 25 tetor.

Në Shqipëri dhe Maqedoni Bajrami festohet të enjten

Viteve të kaluara kishte një korordinim mes tri bashkësive fetare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni për të kremtuar festën e Bajramit, por kjo si duket nuk do të ndodhë kësaj here me Kurban Bajramin apo Bajramin e Vogël.

Besimtarët muslimanë në Shqipëri dhe Maqedoni do të festojnë Bajramin të enjten më 25 tetor, ndërsa në Kosovë siç u njoftua sot, të premten më 26 tetor.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton mbarë opinionin publik se dita e parë e Kurban Bajramit do të jetë ditën e enjte datë 25 tetor 2012”, thuhet në faqen zyrtare të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Ndërkaq në faqen zyrtare të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë shkruan:“Në bazë të vendimit të përbashkët të tri bashkësive fetare: Komunitetit Musliman i Republikës së Shqipërisë, Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës dhe Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë i informojmë besimtarët, respektivisht opinionin publik dhe diasporën se Dita e parë e Kurban Bajramit është më 25 Tetor 2012, mbetet ashtu siç është e paraparë me Takvimin e 2012”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga Reis ul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi.

Nuk dihet ende sesi do të festojnë shqiptarët në Mal të Zi. /qik/

Lini një koment