Kalo te lënda

Protesta e Vetëvendosjes(video)

Në shenjë pakënaqësie për takimin që ka zhvilluar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, në Bruksel, dhe kundër bisedimeve të paralajmëruara me Serbinë, një numër protestuesish nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Përleshje ndërmjet policisë dhe protestuesve në Prishtinë. Forcat e policisë u përleshën me veprimtarët e lëvizjes Vetëvendosje që po protestojnë kundër takimit të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë

Policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë një grup protestuesish të lëvizjes Vetëvendosje që protestuan kundër takimit të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç

Aktivistë të kësaj lëvizjeje, duke përfshirë edhe deputetë të saj, kanë pësuar lëndime, derisa njësitet speciale të Policisë së Kosovës po tentonin ta shpërndanin turmën, e cila në orët e hershme kishte mësyrë ndërtesën e Qeverisë për të penguar punën normale të ekzekutivit.

Protestuesit hodhën domate dhe ngjyrë të bardhë mbi forcat e policisë gjatë përleshjeve. Një numër i tyre ka mbetur i lënduar. Për pak kohë ishte ndaluar edhe kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si dhe deputeti i kësaj lëvizjeje Liburn Aliu.Sipas drejtuesve të kësaj lëvizjeje, janë arrestuar të paktën 22 veprimtarë të saj. Policia ende nuk ka dhënë ndonjë hollësi.

Veprimtarët e kësaj lëvizjeje përveç parullave kundër bisedimeve po brohorisin “Bashkim me Shqipërinë, jo pazare me Serbinë”. Të premten, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u takua me kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, në atë që shihet si hapje e një kapitulli të ri bisedimesh ndërmjet dy vendeve me një të kaluar të rëndë.

Takimi është kundërshtuar ashpër nga lëvizja Vetëvendosje e cila vlerëson se bisedimet e pakushtëzuara me Serbinë dëmtojnë interesat e Kosovës. Kjo lëvizje kundërshtoi te enjten miratimin e rezolutës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kushtëzimeve që u janë bërë të dyja vendeve për përfshirjen në procesin e integrimeve evropiane. Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Të dyja palët janë shprehur të gatshme të bisedojnë qoftë për çështje teknike qoftë për ato politike. Por, Serbia ngulë këmbë se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa Prishtina hedh poshtë çdo mundësi të diskutimit për rregullimin e saj kushtetues e juridik./standardi.info

Lini një koment