Kalo te lënda

LDK nuk lëshon pe

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se lëvizjet për momentin nuk priten nga LDK-ja, lëvizjet priten nga ata që nuk po e respektojnë marrëveshjen. “Topi është te ata dhe ata duhet vepruar në mënyrë që të lëvizë diçka pozitivisht”, ka thënë ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po lëshon pe nga qëndrimet e saj, duke këmbëngulur në respektimin e marrëveshjes së 6 prillit 2011. Madje sipas zyrtarëve të LDK-së, kjo parti do ta mbajë kryeministrin Hashim Thaçi për “gjuhe” derisa ky i fundit ta implementojë marrëveshjen për presidenten. Sipas zyrtarëve të LDK-së, dikush patjetër duhet të shkojë në shtëpi “ose kryeministri ose presidentja”.

 

Lutfi Haziri ka thënë se kjo parti nuk duhet të lejojë assesi që zgjedhjet e parakohshme të mbahen me ligjin e vjetër zgjedhor. Sipas tij, LDK-ja duhet ta bëjë të pamundurën që kjo situatë të tejkalohet.

 

“Agjenda zgjedhore është dëmtuar pas mosrespektimit të marrëveshjes nga kryeministri dhe tash kjo duhet të trajtohet ndryshe. Duhet të gjendet një modalitet që reforma zgjedhore të përfundojë. Me vetë faktin që LDK-ja ka zgjedhur ta kryesojë reformën zgjedhore kjo ka treguar që interesi ynë kapital ka qenë që reforma zgjedhore të ndodhë në Kosovë”, ka thënë Haziri, duke shtuar se pos Kodit Zgjedhor edhe Ligji për Zgjedhjet Lokale duhet të pësojë ndryshime.

 

“Kjo, sepse edhe në zgjedhjet e fundit lokale ka pasur makineri të vjedhjes së votave dhe PDK-së mund t’i shkojë përshtati kodi i vjetër zgjedhor”, konsideron Haziri.

 

Nga ana tjetër, Ibrahim Makolli nga Aleanca për Kosovën e Re ka thënë se ndryshimet kushtetuese nuk mund të kalojnë pa një pajtueshmëri të AKR-së dhe LDK-së, për faktin se siç tha ai, kjo e vë në rrezik gjithë reformën, duke kthyer në pikën zero gjithë procesin.

 

“Ndryshimet kushtetuese janë të lidhura me zbatimin e marrëveshjes. Nëse tentohet që ndryshimet të kalojnë pa pëlqimin e subjekteve politike, ky do të ishte mesazh shumë i keq sepse kësisoj do të rrezikoheshin ndryshimet kushtetuese”, ka thënë Makolli. Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se bllokimi i reformës zgjedhore dhe kushtetuese nga LDK-ja është një kryeneçësi politike.

 

“Shihet qartë që janë qëllime politike. Situata në të cilën jemi besojmë se vetëm një marrëveshje e re e liderëve politikë është zgjidhja e kësaj situate në të cilën do të duhet të jetë prezente edhe presidentja Atifete Jahjaga, e cila do të zotohet në atë lloj marrëveshje që do të japë dorëheqje dhe ta lirojë rrugën për zgjedhje presidenciale në momentin kur ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhore të jenë gati”, ka thënë Ramadani.

 

Sipas tij, në momentin kur Kosova është e gatshme të hyjë në zgjedhje të tjera presidentja duhet të hapë rrugën. “Ne jemi të bindur se presidentja nuk do të jetë pengesë e proceseve”, tha ai. Ramadani ka thënë se në takimin i cili do të mund ta kalonte ngërçin politik duhet të ftohen të gjithë liderët e partive parlamentare.

 

Ndërkaq, Erzen Vraniqi nga “Vetëvendosje” ka thënë se proceset nëpër të cilat po kalon vendi janë shumë më me rëndësi të stopohen se sa vetë ndërrimi i kodit, njofton zëri.

 

“Andaj është emergjente ta rrëzojmë këtë qeveri. Ne jemi për zgjedhje të jashtëzakonshme edhe kemi thirrur që moti që të nënshkruhet mocioni për votëbesim ndaj qeverisë. Çdo ditë më tepër në pushtet kjo qeveri është ditë e humbur për Kosovën. Nuk është problemi më i madh te kodi sa është te mosrespektimi i tij”, ka thënë Vraniqi./standardi.info

Lini një koment