Të hartohet platforma e bisedimeve
Grupi i Ekspertëve, E15, konsideron se është koha që të zhvillohen bisedime midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat do të adresonin procesin e ndërtimit të marrëdhënieve fqinjësore me perspektivë të normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve fqinje në procesin e integrimit në bashkësinë evropiane.
E15, i cili u bë pjesë e koalicionit me AKR-në e Pacollit, ndërsa tani funksionon në mënyrë të pavarur, vlerëson se Rezoluta e aprovuar në Kuvendin e Kosovës me 18 të këtij muaji lidhur me këtë çështje dëshmon për qëndrimin konstruktiv të Kosovës për zgjidhjen me dialog të të gjitha çështjeve që pengojnë marrëdhëniet fqinjësore me Serbinë, por, sipas këtij grupi, “aprovimi i saj pa respektuar procedura të nevojshme të Kuvendit e dëmton punën e Kuvendit dhe rolin e tij me Kushtetutë, krijon tensione te panevojshme politike në punën e tij e jashtë tij”.
“Kjo praktikë ndikon keq në krijimin e një procesi të arritjes së pajtueshmërisë më të madhe midis pozitës, opozitës dhe akterëve të tjerë për të marrë vendime cilësore e të përgjegjshme lidhur me çështjet më të rëndësishme të zhvillimeve demokratike në vend”, theksohet në komunikatën e E15-shit.
Më tej, grupi E15, i kryesuar nga deputeti tashmë i pavarur, Muhamet Mustafa, konsideron se Rezoluta e aprovuar në Kuvend nuk përcakton kornizën e domosdoshme të këtyre bisedimeve. “Qeveria duhet të paraqesë sa më shpejtë Platformën për këto bisedime në Kuvend. Bisedimet duhet të adresojnë realizimin e të drejtave njerëzore të pakicave në të dy vendet sipas parimit të reciprocitetit, ku Kosova duhet të qëndrojë në Kornizat e Planit të Ahtisaarit dhe të sigurojnë shformimin e strukturave paralele në veri të Kosovës me prioritet”, vlerësojnë ekspertët e E15-shit.
Pjesë e procesit të rregullimit të marrëdhënieve fqinjësore, sipas tyre, përveç kthimit të mbetjeve mortore dhe sqarimit të fatit të personave të pagjetur pas luftës, duhet të jetë edhe zbulimi dhe dënimi i përgjegjësive të krimeve të luftës, gjë që, sipas E15, paraqet një nga çështjet më të rëndësishme për ndërtim të besimit dhe pajtimit reciprok.
E15, si pjesë të rëndësishme e sheh edhe rregullimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtinë e lirë dhe sigurimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave. “Gjithashtu duhet të adresohet edhe zhdëmtimi i dëmeve në pasurinë publike e private, si pasojë e luftës dhe dëmeve të shkaktuara nga regjimi okupues serb në sistemin e pensioneve, kthimin e kursimeve devizore, kompensimin e dëmeve në buxhetin e Kosovës dhe të pagave te humbura për shkak të largimit diskriminues të shqiptarëve nga puna në sektorin publik në vitet 90-ta”, vlerëson E15.
Grupi i ekspertëve, E15, vlerëson se këto kanë qenë vendime, akte të shtetit serb dhe “ai duhet t’i zhdëmtojë viktimat e atij regjimi”, njofton zeri.
Në fund, E15 thekson se është e një rëndësie vitale përgatitja e mire të institucioneve të Kosovës për këto bisedime, “një përgatitje që i kontribuon përmbajtjes dhe suksesit të këtyre bisedimeve dhe ndërton konsensus bazik në shoqërinë tonë”. /standardi.info