Sejdiu: Institucionet të bëjnë më shumë për prodhuesit
Politikanë, përfaqësues shtetërorë, biznesmenë, donatorë u mblodhën në “Darkën e Lamës” të organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), një javë përpara përmbylljes se “Javës së Biznesit Kombëtar në Kosovë”. Aty u fol për pasuritë nëntokësore si dhe për fuqinë e madhe punëtore që ka Kosova.
Fatmir Sejdiu, ish-presidenti i Kosovës, projektin kombëtar të biznesit, e cilësoi të rëndësishëm duke shtuar se Kosova bën pjesë në një zonë të ndjeshme, duke këshilluar për kualitet sa më të madh.
“Unë nuk jam më në institucione dhe nuk mund t’ju ndihmoj, por mund t’ju përkrah moralisht, ndërkaq institucionet duhet të bëjnë më shumë për prodhuesit vendorë dhe AKB-ja po bën çmos që t’i dalë në ndihmë biznesit”, ka thënë Fatmir Sejdiu.
Ai shtoi se duhet bërë diçka për të minimizuar konkurrencën e madhe që mund të kemi. “Prodhuesit mund të bëjmë kualitet më të lartë. Nëse prodhimet vendore depërtojnë, sigurisht që ai që e konsumon edhe prodhimin vendor do të thotë ky është më i mirë sesa tjetri”, ka thënë Sejdiu.
Ramadan Hasani, zv. ministri i Zhvillimit Ekonomik, tha se projekti “Java e Biznesit Kombëtar”, ka shënuar progres të madh jo vetëm në vetëdijesimin, por edhe në konsumimin e prodhimeve kombëtare.
“Inkurajoj të gjithë prodhuesit e vendit që të mos ndalin me kaq, por të përballen me sfidat e reja dhe të zhvillojnë edhe më fuqishëm bizneset e tyre. Institucionet tona po krijojnë politika të favorshme për biznesin vendor dhe ato nuk do të ndalen, duke krijuar edhe më shumë lehtësira për prodhuesit”, tha zv.ministri i Zhvillimit Ekonomik.
Hasani shtoi se po vazhdon të rritet vetëdija për konsumin e prodhimeve kombëtare, por edhe qytetarët janë të hendikepuar, të cilët nuk e kanë ende nivelin e vetëdijes se çka do të thotë të konsumosh prodhimet kombëtare.
“Dëshirën e kemi për të konsumuar prodhime kombëtare, por nuk mund ta realizojmë duke konsumuar ato të importuara dhe duke eksportuar para të gatshme jashtë vendit. E mira së mirës do të ishte sikur ta bëjmë të kundërtën, që të eksportojmë prodhimet kosovare e të importojmë para”, tha Hasani.
Kreu AKB-së shtoi se janë dukë bërë të pamundurën për zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Kjo rrugë e suksesit nuk është e lehtë kur dihet se në Kosovë ka konkurrencë shpesh jo të drejtë, politika investuese të shtrenjta, por edhe politika të zhvillimit jo të konkurrueshme sa duhet”, tha Agim Shahini.
Ai tha se AKB me sukses po përmbyllin projektin “Javët e Biznesit Kombëtar në Kosovë”, e cila ka nisur që nga 12 shkurti dhe po vazhdon rrugëtimin në të gjitha trevat shqiptare në pesë shtete, Kosovës, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.
“Ky projekt kombëtar, është njëri ndër më të fuqishmit të realizuar ndonjëherë në trevat shqiptare, ku janë kapërcyer e shkelur trevat e pesë shteteve, ku jetojnë shqiptarët. Prodhimet kombëtare janë ato që sjellin zhvillimin e kombit dhe miliardat e eksportuar jashtë duhet të mbeten në trevat shqiptare, kjo ndodh vetëm duke konsumuar prodhimet kombëtare”, tha Agim Shahini.
Fabrika që punësoi qindra fermerë
Fabrika e re e Vajit “Intercompany” ka punësuar qindra fermerë, të cilët po kultivojnë me shumë sukses lulediellin. Kjo kulturë e cila ishte harruar për plot 25 vjet.
Sylejman Konushevci, pronar i Fabrikës së Vajit “Intercompany”, tha se pas 25 vjetësh kanë arritur që përsëri tokat e Kosovës t’i mbjellin më luledielli. Përfitimi nga kjo është jo vetëm për fabrikën dhe qindra fermerë, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Nisëm me pak fermerë e mbjellje luledielli, e sivjet kemi shënuar rezultate e qindra fermerë edhe pse sivjet thatësia po vazhdon të jetë e madhe. Falënderimi shkon te fermerët që me kontributin e tyre ndikuan që të arrihen rezultate”, tha Konushevci.