Kalo te lënda

Heshtet plaçkitja e trashëgimisë kulturore

Nga: Mimozë Hamza

‘’Hyjnesha në Fron’’ apo mbretëresha e dardanëve të lashtë është i vetmi eksponat që iu kthye Kosovës nga Serbia.Por mbi 1.247 artefakte të tjera që iu morën Kosovës nga Serbia në fillim të vitit 1999 ende vazhdojnë të jenë në Serbi të ekspozuara në Muze dhe institucione tjera serbe.

Kosovës këto artefakte i janë dhënë Serbisë në formë të ekspozitës ‘’reverse’’ në fillim të vitit 1999 me vulën e Muzeut të Kosovës por ato nuk u kthyen kurrë.

Këto artefakte llogariten edhe si thesari kryesor i trashëgimisë kulturore të luajtshme me vlerë unikate që përbejnë një pasuri të rëndësishme të trashëgimisë shtetërore, kombëtare dhe botërore, që datojnë nga neoliti e deri në periudhat më të reja.

Edi Shukriu ,Kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për Indeksonline thotë se ndërprerja e mundshme e dialogut teknik me Serbinë është lajm i keq për trashëgiminë kulturore, sepse kështu po humbet mundësia që Serbisë t’i kërkohet kthimi i këtyre artefakteve. Por Shkuriu propozon që Kosova të ngrejë padi ndërkombëtare për këtë çështje.

“Ka ardhur koha që qeveria e Kosovës të mos heshtë më por të ngrejë padi ndërkombëtare, ndryshe ekzistojnë mundësitë që këto artefakte të mos kthehen kurrë” thotë Shukriu.

E ndërkohë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thonë se artefaktet do të kthehen por nuk e dinë se kur do të ndodhë kjo.

Shkëlzen Dragaj, këshilltar i Ministrit Memli Krasniqi për Indeksonline thotë se Ministra e Kulturës në vazhdimësi ka pasur në prioritet të saj kthimin e artefakteve por kjo është pa mundësuar për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e Serbisë.

“Ne besojmë se shumë shpejtë do të ketë qasje ndryshe nga pala serbe dhe artefaktet do të kthehen, aty ku kanë qenë dikur” ka thënë Dragaj.

Por ky nuk është problemi i vetëm me të cilin po përballet trashëgimia kulturore e luajtshme sepse vjedhje të ngjashme kanë ndodhur edhe pas luftës. Mungesa e inventarizimit ka bërë që shumë objekte të trashëgimisë së luajtshme edhe të humben dhe këto vjedhje nuk mund të dokumentohen.

Enver Rexha, Drejtor i Institutit të Arkeologjisë së Kosovës tregon për Indeksonline se shumë artefakte dhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore të luajtshme janë vjedhur dhe e gjithë kjo ka ndodhur në kohën kur në Kosovë me institucionet kulturore kanë udhëhequr “të huajt”, përkatësisht zyrtarë të bashkësisë ndërkombëtare në vendin tonë. “Kemi pasur një rast pas lufte kur njësitet e KFOR-it në Mitrovicën veriore kanë vjedhur…ne e kemi ngritur çështjen në polici, atëherë ka qenë policia e UNMIK-ut , e kanë marrë rastin po ne nuk kemi pasur qasje më tutje se a është zhvilluar rasti dhe a ka të dënuar…nuk kemi pasë të drejtë të hymë në ato procese” thotë Rexha.

Rexha thotë se edhe pse shumë prej këtyre rasteve të vjedhjeve i kanë raportuar në polici dhe institucione kompetente ata nuk kanë arritur të gjejnë asnjëherë autorët dhe kjo çështje veç po harrohet.

Këto dhe çështje të ngjashme janë paraqitur si problem edhe në një publikim të botuar në faqen zyrtare në internet të Këshillit për Trashëgimi Kulturore, këshill ky që i raporton Kuvendit të Kosovës.

Lini një koment