Kalo te lënda

Disiplinojeni Krasniqin!

Jakup Krasniqi mund ta ruajë postin e kryetarit të Kuvendit vetëm nëse arrin të gjejë gjuhë të përbashkët me shumicën e përfaqësuesve të PDK-së dhe me kabinetin qeveritar.

Diplomatë të jashtëm kanë thënë haptas se nuk duan të shohin pengesa të brendshme gjatë punës së institucioneve qendrore të shtetit, veçanërisht tash kur ka filluar procesi i dialogut politik për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Sipas burimeve të gazetës Koha Ditore, seanca e së enjtes, e cila është ndërprerë dy herë, ka shtuar trysninë e ndërkombëtarëve ndaj lidershipit të PDK-së, për të garantuar rrjedhë normale të punës së Kuvendit.

Në PDK besojnë se kanë kapacitete për ta ruajtur Krasniqin dhe për ta tejkaluar këtë situatë.

Ndërsa, ky mesazh duket të jetë kuptuar seriozisht nga kryeparlamentari dhe strukturat partiakes, sepse një ditë më vonë (të premten) vetë Krasniqi ka kërkuar falje publike për fjalët që i kishte thënë një ditë më parë, duke e quajtur rrugaç ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci  në prononcimin e tij për media ishte shprehur sikur asgjë të mos kishte ndodhur, edhe pse kishte kërcënuar bashkëpartiakun e tij se do ta shkarkojnë nga posti i kryeparlamentarit /Telegrafi/

Lini një koment