RASTI I SMILKOVCIT – përfundoi dëshmia e dëshmitarit E1
Avokati Naser Raufi i tha agjencisë INA se dëshmitari ka rrëfyer tërë versionin e tij, por ai nënvizoi se nuk ka të drejtë të komentojë deklaratat. Sipas tij, të akuzuarit janë të pafajshëm.
Në Gjykatën Penale në Shkup ka përfunduar rreth orës 21.00 dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur për rastin e vrasjes së pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.
Avokati mbrojtës i të dyshuarve për vrasjen e pesëfishtë, Naser Raufi i tha agjencisë së lajmeve INA se dëshmitari ka rrëfyer tërë versionin e tij, por ai nënvizoi se nuk ka të drejtë të komentojë deklaratat.
“Sapo përfundoi seanca gjyqësore ku në prani të avokatëve dhe të dyshuarve si të akuzuar ka përfunduar dëshmia e dhënë nga dëshmitari i mbrojtur E1. Ne nuk kemi të drejtën që të komentojnë tani për tani deklaratat e këtij dëshmitari, dhe kjo është edhe me urdhër të gjykatësit hetues”, deklaroi për INA, avokati Naser Raufi.
Sipas tij, pavarësisht kësaj situate, të akuzuarit nga hetuesia që mbahen në paraburgim janë të pafajshëm dhe ne do të nxjerrim të gjitha dëshmitë tona për të vërtetuar këtë. Procesi gjyqësor lidhur me këtë rast pritet të vazhdojë ditën e hënë dhe se gjykata pritet të jetë hollësitë e tjera. (INA)
18: 22 – Në Gjykatën Penale në Shkup nën masa të forta sigurie ka nisur procesi gjyqësor për rastin e vrasjes së pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit. Në këtë seancë të jashtëzakonshme të thirrur pas orës 17.00, është duke dhënë dëshminë e tij dëshmitari i mbrojtur me kodin E1, i cili po jep dëshminë e tij lidhur me vrasjen e pesëfishtë që ndodhi në prill të këtij viti.
Forca të mëdha policore janë të pranishme para gjykatës, ku janë ndaluar rrugët që çojnë drejt kësaj gjykate, ndërsa punonjës të gjykatës theksuan se para nisjes së procesit ishin urdhëruar për të lëshuar punën.
Familjarë të personave të dyshuar për këtë vrasje i thanë agjencisë së lajmeve INA se po vijon dëgjimi i dëshmitarit, porse ata janë të shqetësuar për këtë mënyrë të procesit gjyqësor, që po zhvillohet në mënyrë të pa paralajmëruar dhe larg mediave.
Avokati mbrojtës i familjarëve, Naser Raufi deklaroi për INA se është gjithashtu i habitur për mënyrën e tillë të jashtëzakonshme të nisjes së këtij procesi dhe dëgjimit të dëshmitarit të mbrojtur.
E1 siç u paralajmërua dëshminë e tij e jep në kushte të veçanta dhe kritere, duke i`u fshehur identiteti dhe pamja e tij, por edhe zërin.
Në procesin gjyqësor po marrin pjesë avokatët dhe të akuzuarit.
Një muaj më parë mediat në Shkup paralajmëruan se dëshmitari i mbrojtur E1 është femër dhe se ajo ka rrëfimin lidhur me vrasjen e katër të rinjve maqedonas dhe peshkatarit nga Radishani i Shkupit.
Procesi gjyqësor ka nisur pas gjashtë muajve, pasi që hetuesia kishte vijuar me grumbullimin dhe verifikimin e dëshmive të saj. Mësohet se akuza pritet të ngritet më 27 tetor, por deri tani asgjë nuk është zyrtarizuar nga trupi gjykues, pasi që në këtë datë përfundon edhe afati ligjor për mbajtjen në paraburgim të të akuzuarëve.
Hetimet për vrasjen e pesëfishtë nisën më 1 maj me valën e arrestimeve në një operacion të koduar “Monstra”, ku u arrestuan mbi 30 shqiptarë nga Shkupi dhe rrethina, të cilët u dyshuan të përfshirë në vrasjen e pesëfishtë. Akuza e parë e MPB-së ishte se bëhet fjalë për vrasje të realizuar nga islamikë radikal, me qëllim të destabilizimit të vendit, mirëpo kjo akuzë më pas u tërhoq dhe nuk ishte bindëse.
Policia një ditë më pas liroi pjesën më të madhe të të ndaluarëve gjatë operacionit “Monstër”, ndërsa pesë veta, njëri prej të cilëve në arrati akuzohen për vrasjen dhe ndihmën e dhënë për realizimin e saj.
Derisa tre të ndaluarit janë në paraburgim si të dyshuar në vrasje, dy të dyshuarit kryesor sipas MPB-së Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, gjenden në arrati dhe se ata dyshohen se janë vrasësit e drejtpërdrejt.
Njëri nga të ndaluarit në paraburgim Haki Haziri, fillimisht ishte dakorduar për të qenë dëshmitarë i mbrojtur, ndërsa më pas ka hequr dorë, mirëpo MPB e ka si të dyshuarin e radhës për pjesëmarrje në vrasjen e pesëfishtë.
Përfaqësuesit ndërkombëtar në Maqedoni kanë kërkuar një proces transparent hetimor dhe shmangien e ndikimeve politike në mbylljen e rastit të vrasjes së pesëfishtë. (INA)