Kamerat, të vendosura jashtëligjshëm
Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka konstatuar se shumica e institucioneve shtetërore janë duke mbajtur në objektet e tyre kamerat e sigurisë në mënyrë të paligjshme për shkak se nuk kanë vënë shenjat lajmëruese të vëzhgimit. Kjo ka shkaktuar zemërimin e Avokatit të Popullit, i cili ka kërkuar që në hapësirën, e cila vëzhgohet nga kamerat e policisë, në qendër të qytetit, ose të hiqen kamerat ose të vihen shenjat lajmëruese të zonës “nën vëzhgim”.
Një inspektim i Agjencisë për Mbrojtjen e të dhënave personale ka nxjerr në pah faktin se objektet institucionale janë duke përdorur kamerat vëzhguese në mënyrë të paligjshme . Për më tepër edhe incizimet që bëhen për nevoja të sigurisë së objekteve të rëndësishme nuk menaxhohen në mënyrë krejt të ligjshme.
Ruzhdi Jashari, udhëheqës i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka thënë se kjo Agjenci ka lëshuar me dhjetëra vendime ku ka konstatuar shkelje.
“Çështja e vëzhgimit të objekteve me kamera për shkaqe sigurie në shumë raste ka dal të mos jetë duke u bërë konform ligjit. Të gjitha ndërtesat institucionale duke filluar nga Parlamenti që e ka nxjerr këtë ligj nuk i kanë të vëna shenjat lajmëruese. Ne u kemi bërë vërejtje se ato duhet të vihen. Ato që nuk respektojnë do t’i nënshtrohen dënimeve, më i vogli nga të cilët është 10 mijë euro”, ka thënë Jashari për Radio Kosovën.
Por, nuk janë vetëm këto. Sipas Agjencisë nuk është e rregulluar si duhet as vëzhgimi me kamera i qendrës së qytetit që kap një perimetër relativisht të gjerë dhe që gjithashtu përbën shkelje privatësie.
Policia, sipas zëdhënësit Baki Kelani, këto kamera i ka vënë për të ofruar siguri për qytetarët dhe institucionet në hapësira që konsiderohen të nevojshme.
“Janë do lokacione që kur i vihen shenjat u mundëson kryerësve të veprave kriminale të ikin tjetërkah”, ka thënë Kelani për Radio Kosovën.
Mirëpo, Institucioni i Avokatit të Popullit kërkon që të vihen shenjat lajmëruese edhe jashtë objekteve deri aty ku mbërrin vëzhgimi i kamerave.
“Secili institucion publik apo privat është i obliguar të vëjë shenjat për kamerat kudo që i vënë ato”, ka thënë zëdhënësja e Avokatit të Popullit, Majlinda Lulaj.
Sipas ligjit në fuqi mbi të dhënat personale, instalimi i sistemit të vëzhgimit me kamerë duhet të përcillet me vendosjen e njoftimit në një vend të dukshëm për qytetarët./Indeksonline/