Kalo te lënda

Gjykata jep arrest me burg për Asllan Patriotin

Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën arrest me burg për ish koordinatorin e grevës së urisë, Asllan Patrioti. Vendimi u dha pasi Prokuroria kishte kërkuar po ashtu masën arrest me burg për Patriotin. Tri ditë më parë, Asllan Patrioti u vu në pranga menjëherë sapo kishte dhënë një prononcim për mediat pranë çadrave të grevës së urisë. Patrioti është arrestuar për një akuzë e cila nuk kishte aspak lidhje me grevën e urisë të cilën ai e koordinonte prej ditës së parë.

“Në orën 21:00 u arrestua në flagrancë shtetasi Asllan Ramadan Patrioti, 59 vjeç, banues në Tiranë. Kapja e tij u bë në momentin kur po merrte me anë të mashtrimit dhe kërcënimit shumën prej 700 eurosh shtetasit italian me iniciale M.N. Në qershor të vitit 2012, shtetasi italian, M.N., denoncoi vjedhjen e automjetit të tij, i cili pas pak ditësh u gjet dhe iu kthye pronarit nga strukturat e Policisë së Komisariatit Nr.4, Tiranë”, thuhet zyrtarisht nga Policia e kryeqytetit.

Sipas saj, “shtetasi italian, M.N., prej kohësh, pas gjetjes së automjetit, ishte nën presionin e Asllan Patriotit, për t’u paguar, pasi Patrioti pretendonte se kishte ndikuar në gjetjen e automjetit të vjedhur. Në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Tiranës, sot (dje) në mbrëmje, veprimet hetimore u finalizuan me arrestimin e Asllan Patriotit në kushtet e flagrancës”. Sipas Policisë, aktet e arrestimit në flagrancë, shuma e eurove të sekuestruara, si dhe provat filmike iu dërguan në vijim Prokurorisë së Tiranës.

Koordinatori tjetër i grevës, Skënder Tufa dhe grevistë ish të përndjekur e kanë cilësuar krejtësisht politik dhe presion ndaj tyre, arrestimin e Asllan Patriotit.

Lini një koment