BE rrit presionin ndaj Beogradit lidhur me Kosovën
Ndërsa ka hedhur themelet për bisedime shtesë Prishtinë-Beograd, Bashkimi Evropian (BE) ka përcaktuar kushte për Serbinë dhe Kosovën për të punuar në përmirësimin e marrëdhënieve për të vazhduar aderimin e tyre përkatës në BE pa bllokuar njëri-tjetrin në këtë proces.
BE-ja ka shtuar një kërkesë për Serbinë në strategjinë e zgjerimit të këtij viti për të respektuar integritetin territorial të Kosovës, një kusht që Serbia e kundërshton.
Muajin e kaluar, Andreas Schockenhoff, nënkryetari i grupit parlamentar Bashkimi Kristian-Demokrat (CDU) të Gjermanisë, shkoi në Beograd për të diskutuar kushtet.
“Ajo që ne presim nga fillimi i negociatave është një deklaratë me shkrim se Serbia dhe Kosova janë të gatshme të arrijnë gjatë procesit të bisedimeve të zgjerimit një normalizim ligjor të detyrueshëm të marrëdhënieve”, tha Schockenhoff për SETimes.
“Një traktat i tillë duhet të arrihet mes dy shteteve dhe të zbatohet në praktikë para se Serbia të përfundojë bisedimet e pranimit në BE”, tha ai.
Schockenhoff u bëri thirrje të dyja palëve që të vazhdojnë dialogun dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri tani dhe të tregojnë më tej se marrëdhëniet janë duke u përmirësuar.
Kryeministri serb Ivica Dacic tha se kërkesa e re do të rrezikojë dialogun Beograd-Prishtinë.
“Serbia ishte e gatshme të angazhohej në një dialog politik që në fillim të tetorit, por kjo tani ngre pyetjen nëse ajo thjesht përfaqëson një alternativë më të butë për një njohje të Kosovës, sepse nuk kam hasur ndonjëherë integritet territorial pa sovranitet”, tha Dacic për B92.
Shumë njerëz në Serbi i shohin kushtet e CDU si një fiasko të krijuar nga qeveritë e mëparshme dhe aktuale.
“[Ata] po e detyrojnë Serbinë të zgjedhë midis BE-së dhe Kosovës”, tha për SETimes Ognjen Pribicevic, ish-ambasadori serb në Gjermani.
Megjithatë qeveria e Serbisë tha se kushtet nuk janë kushte zyrtare të BE, sipas Suzana Grubjesiç, zëvendës kryeministre për integrimin evropian të Serbisë.
“Nuk është gjë e mirë në këtë fazë të procesit të integrimit të BE-së për këdo që të na vendosë një kusht që të dy e dimë se Serbia nuk mund ta përmbushë”, tha Grubjesic.
Ndërsa Pribicevic argumenton se pse Perëndimi dëshiron të mbyllë çështjen e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur.
“Serbia ka një shans të vogël duke pasur parasysh faktin se ky nuk është ende qëndrimi zyrtar në Bruksel, por duke pasur parasysh fuqinë amerikane dhe gjermane është e vështirë të besohet se Brukseli mund të ketë një politikë të ndryshme”, tha Pribicevic.