Kalo te lënda

Thaçi paragjykon blerësin e PTK-së

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe disa liderë të opozitës kanë gabuar rëndë kur kanë takuar fshehurazi diplomatin amerikan, James Pardew, i cili po lobon që tenderin për PTK-në ta fitojë konzorciumi Avicena, pasi që në këtë mënyrë po paragjykohet fituesi.

Ky është reagimi i ekspertëve të ekonomisë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të partive opozitare, një ditë pas publikimit të një letër-këmbimi sekret nga gazeta “Zëri”, ku zbardhen në detaje bisedat e fshehta të lobuesve me ndikim të njërës kompani amerikane me zyrtarët më të “fuqishëm” në vend”.

Sipas këtij letërkëmbimi, kryeministri Thaçi u thotë lobuesve se e ka të vështirë të zgjedhë mes kompanisë së Albright dhe Pardew. Ndërsa fjalët e Thaçit, sipas kësaj letre, dalin të jenë lajka, pasi që i dërguari i kryeministrit, pronari i një medie në Kosovë, u ka thënë se shqetësim kryesor i Thaçit është që të mos e tradhtojë ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Albright.

Në letër-këmbim pa ashtu thuhet se kryeministri në të shumtën e rasteve ka folur në shqip, por frazën e fundit për një “proces fer dhe transparent” e ka thënë në anglisht. Pardew ka marrë mbështetje të fortë edhe nga partia opozitare AAK, gjatë një darke pune që ka pasur me një zyrtar të lartë të kësaj partie për rreth dy orë. /Telegrafi/

Lini një koment