Thaçi – Daçiq, takim i mirë dhe konstruktiv
Takim Bruksel, 19 tetor – Korrespondenti i “Kohës Ditore” nga Brukseli njoftoi se takimi i përfolur midis kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, e homologut serb, Ivica Daçiq ka ndodhur sot, në prani të përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme e Siguri, Catherine Ashton. Takimi u zhvillua vetëm 24 orë pas miratimit nga Parlamenti i Kosovës të Rezolutës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.Ky është takimi i parë i nivelit të lartë midis përfaqësuesve të dy vendeve – Kosovës e Serbisë, që nga bisedimet e Vjenës për statusin e Kosovës.
Më parë Ashton i ka takuar ndaras Thaçin dhe Daçiqin. Ajo i ka cilësuar të mirë e konstruktiv takimet e zhvilluara.
“Takimi i sotëm vjen pas takimeve që zhvillova në New York me presidentin Nikoliq dhe kryeministrin Thaçi. Pas takimeve të ndara me ta, udhëhoqa një takim të përbashkët në zyrën time, i cili u mbajt në një atmosferë të mirë dhe konstruktive”.
“Ne u pajtuam që ta vazhdojmë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve, ndërsa të dytë u zotuan për bashkëpunim. Do të takohemi prapë së shpejti. Besoj se dialogu është në interesin e të dyja palëve. Qëllimi i tij është të përmirësohet jeta e njerëzve dhe të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve e, duke e bërë këtë, të sjellë Serbinë e Kosovën më afër Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratën e lëshuar në emër të Ashton.
Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes Jahjaga deklaroi se është shumë mirë që janë takuar dy kryeministrat në nivel të barabartë.
“Ky shënon një hap përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe një rrugë përpara në arritjen e marrëveshjeve për një të ardhme më të mirë për vendet tona, që kanë pasur një të kaluar të vështirë”, tha Vllahiu.