Kalo te lënda

Platformën për Kosovën Serbia e shtyn për javën tjetër

Beograd, 19 tetor – Takimi i kreut shtetëror të Serbisë i parashikuar për sot, ku do të harmonizohej qëndrimi i përbashkët për Platformën për Kosovën dhe përbërjen e ekipit të ardhshëm negociator serb, do të mbahet me siguri gjatë javës së ardhshme, thonë burimet e Qeverisë serbe për gazetën “Veçernje novosti”, e cila këto ditë po merret me të madhe me Kosovën.

E gjithë kjo, siç raporton RTK nga Beogradi, varët nga bisedimet që sot në Bruksel do t’i ketë kryeministri, Ivica Daçiq me përfaqëseusen e lartë të BE, Catherine Ashton, dhe në takimin e ardhshëm të kreut shtetëror serb do të vendoset nëse Kuvendi i Popullor me një rezolutë të posaçme do t’i “verifikojë” zgjidhjet e propozuara dhe ekipin negociator të cilin, sipas të gjitha gjasave, do ta udhëheqë kryeministri Daçiq.

Edhe pse presidenti Tomisllav Nikoliq pati deklaruar për gazetën “Veçernje novosti” se takimi do të mbahet sot, termini është lëvizur sepse shumica e figurave kyçe politike të Serbisë për shkak të obligimeve gjenden jashtë vendit, por edhe për shkak të plasaritjeve midis partnerëve të koalicionit qeverisës për shkak të qëndrimeve të ndryshme rreth integrimeve evropiane por edhe rreth Kosovës.

Sepse derisa Nikoliq e Daçiq e përdorin fjalorin e vjetër e kërcënues se nuk e japin Kosovën për BE, nënkryetari i parë i Qeverisë dhe bashkërendues i të gjitha shërbimeve serkete civile e ushtarake, ministër i Mbrojtjes dhe sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Aleksandër Vuçiq, për të cilin thuhet se e ka mbështetjen e madhe të Berlinit zyrtar, ka thënë hapur se Serbia nuk mund ta sakrifikojë rrugën e vet evropiane shkaku i Kosovës.

Merret vesh se Platforma shtetërore serbe për Kosovën do të jetë përgjigje e llojit të vet ndaj Rezolutës për normalizimin e marrëdhënieve të cilën të enjten e miratoi Kuvendi i Kosovës. Në Qeverinë e Serbisë kanë thonë se për Beogradin është i papranueshëm i tërë dokumenti, e veçmas pika e parë e cila nënkupton se Parlamenti i Kosovës e mbështet normalizimin “midis dy shteteve të pavarura – Kosovës e Serbisë”.

Kryeministri Daçiq ka rekomanduar të enjten se Serbia nuk ik nga asnjë temë dhe bashkëbisedues, por bisedimet lypset të jenë neutrale ndaj statusit. “Njohje nuk do të ketë. Është në interesin tonë që çështja e Kosovës të zgjidhet. Jemi të gatshëm të bisedojmë dhe nuk qëndrojnë akuzat se ne jemi ata që po e frenojmë dialogun” ka thënë Daçiq i cili edhe e paralajmëroj takimin e tij me baroneshën Ashton në Bruksel , e cila do të ketë takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, për çka mediat e Beogradit spekulojnë se Ashton do t’i bashkojë Thaçin dhe Daçiqin.

Uashingtonit dhe Brukselit po i ngutet që të dy palët serish të ulën në tavolinën e bisedimeve dhe prandaj kanë insistuar që Parlamenti i Kosovës të miratojë rezolutën për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Serbinë, vlerëson për gazetën “V. Novosti”, Oliver Ivanoviq, ish-sekretar i Shtetit në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë. “Ajo rezolutë është për përdorim të brendshëm dhe teksti është “hartuar” ashtu që të marrë mbështetjen e të gjithë faktorëve politik, pra edhe të opozitës, për t’u qetësuar tensionet në Prishtinë. Rezoluta nuk shtron kurrfarë kushtesh të veçanta për vazhdimin e dialogut, dhe Serbia ndaj kësaj nuk duhet të reagojë, thotë ai.

Edhe Milovan Drecun, kryetar i Këshillit të Kuvendit serb për Kosovën, ka konfirmuar për mediat e Beogradit se deputetët nuk do ta trajtojnë në asnjë mënyrë këtë rezolutë. “Qëndrimi ynë është i qartë, ne nuk mund të bisedojmë si dy shtete të pavarura e sovrane, sepse Kosova nuk është ashtu. Dialogu duhet të zhvillohet në harmoni me Kushtetutën tonë dhe Rezolutën 1244 të KS”, ka thënë Drecun.

Lini një koment