Kalo te lënda

Kapen policët e rremë, u kthehen paratë shqiptarëve

Tre shqiptarët e plaçkitur të premten nga policë të rrejshëm dolën me fat. Siç është shkruar tashmë, atyre u ishin marrë të gjitha të hollat që i kishin me porosi nga bashkëfshatarët për të blerë një traktor në Gjermani, më saktë në tregun e makinave të përdorura në Essen. Atje ata “u kontrolluan” nga tre persona që u paraqitën si policë.Por, vetëm kur ata ikën me paratë e tre shqiptarëve (23 mijë ero), këta të fundit e kuptuan se “policët” kishin qenë hajna të zakonshëm.

 

Policia gjermane është vënë menjëherë në ndjekje të grabitësve. Gjurmët tregonin se bëhej fjalë për një bandë mashtruesish rumunë.

 

Lajmi për plaçkitjen që kanë pësuar, ka prekur shumëkënd në Gjermani. Shefja e policisë në Essen ka thënë se ishte e dhimbshme të shikoje burrat duke qarë. “Çka do t`iu themi bashkëfshatarëve”, thoshin ata!

 

Por, ajo që është edhe më e rëndësishme, shumë shpejt u mobilizua shoqata humanitare “Weiser Ring”, duke iu dhënë një ndihmë të përkohshme. Lexuesit e WAZ ofruan që ose të jepnin ndihma ose të organizonin aksion humanitare. Por, për fat, asnjëra nga këto nuk do të jenë të nevojshme. Tre hajnat nga Rumania, të cilët ishin duke u hetuar edhe për vepra tjera, janë kapur nga policia dhe tash po qëndrojnë në arrest.

Te ta janë gjetur paratë e plaçkitura, që iu kthyen tre shqiptarëve.

Lini një koment