Kalo te lënda

Hague në Prishtinë, mbështetje dialogut

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, William Hague, do të qëndrojë javën e ardhshme në Prishtinë dhe Beograd për t’i dhënë mbështetje nisjes së një dialogu të nivelit të lartë, që do të mundësojë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryediplomati britanik pritet që në Prishtinë e Beograd të takojë përfaqësuesit më të lartë të Kosovës e Serbisë, nga të cilët do të kërkojë “nisjen urgjente të dialogut”, kanë bërë të ditur burime të “Kohës Ditore”.

Tek kanë folur në kushte anonimiteti, zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës e kanë arsyetuar me këtë vizitë edhe “ngutjen” e Partisë Demokratike të Kosovës të kryeministrit Thaçi, për të miratuar të enjten Rezolutën në Kuvend që do t`i hapë rrugë angazhimit të Kosovës në këtë proces.

Një miratim me konsensus të brendshëm për t`u angazhuar në proces pritet që edhe Serbia ta arrijë të premten në një tryezë të ftuar nga presidenti i shtetit fqinj, Tomisllav Nikolliq. Rezultat i tryezës pritet të jetë udhëzimi për kryeministrin Ivica Daçiq dhe Qeverinë e tij që të angazhohen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Gazeta nuk ka arritur që të marrë qëndrimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe lidhur me vizitën e sekretarit të Jashtëm. Burime diplomatike i kanë thënë gazetës se aktualisht po shqyrtohet agjenda e qëndrimit të Hagues në Prishtinë e Beograd. Në kuadër të të njëjtit qëndrim në rajon, shefi i diplomacisë britanike do të vizitojë edhe Sarajevën.

“Gjasat më të mëdha janë që në Prishtinë sekretari të qëndrojë të enjten, ditën kur në Kosovë pritet të jetë festa e komunitetit mysliman ‘Kurban Bajramit’. Vizita është e konfirmuar, por për detaje ende nuk është vendosur”, i ka thënë gazetës një burim diplomatik.

Britania e Madhe është një nga shtetet më mbështetëse të iniciativës së përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, që nëpërmjet një dialogu mes përfaqësuesve të lartë të Kosovës dhe Serbisë të arrihet normalizimi i marrëdhënieve mes të dyja vendeve. /koha/

Lini një koment