Kalo te lënda

Daçiq: Nuk pati shtrëngim duarsh me Thaçin

Takimi mes Thaçit dhe Daçiqit në kabinetin e baroneshës Ashton ka zgjatur mbi 1 orë e gjysmë. Pas këtij takimi, sipas mediave serbe, kryeministri i Serbisë ka thënë se temë e bisedës ishte “arritja e ujdisë për dialogun” dhe paralajmëroi se në muajin nëntor do të mbahet takimi i ardhshëm, kurse deri atëherë udhëheqja serbe do ta ketë gati edhe platformën për administrimin e dialogut.

Sipas tij, udhëheqja serbe do të miratojë platformën për dialog, ku do të jenë ta hapura të gjitha temat – nga zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tash, telekomi, energjetika e deri te çështjet politike.

“Unë i kam thënë (Thaçit) që Kosova është e imja aq sa është edhe e tij. Unë kam lindur në Kosovë”, i tha Daçiq televizionit publik serb, duke shtuar se ia ka kujtuar Thaçit se ka qenë edhe udhëheqës i formacionit paramilitar (UÇK-së).

Po ashtu, ai shtoi se Thaçi ka marrë pjesë edhe në bisedimet në Rambouillet dhe në Vjenë, duke i bërë një vështrim këtij takimi “me një person që në një raport të Këshillit të Evropës është i dyshuar për trafikim të organeve njerëzore”.

“Takimi ishte profesional. I kanë dhënë dorën njëri-tjetrit sepse ashtu përcakton protokolli”, tha për gazetën “Blic” një burim i afërt me Ashton.

Thaçi, ndërkaq, sipas Zyrës për komunikim me publikun të Kryeministrisë, është mjaftuar vetëm me fjalët që “ky proces, patjetër që do e përshpejtoj integrimin e dy shteteve në BE dhe do të jetë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon”.

Sipas mediave serbe, Daçiq ka deklaruar se ka kërkuar që të mos bëhen lëvizje të njëanshme derisa zgjasin bisedimet ndërmjet dy vendeve dhe ka vlerësuar se ka ardhur koha për arritjen e marrëveshjes historike ndërmjet popullor serb dhe atij shqiptar.

“Konsiderojmë se është koha për arritjen e një marrëveshje historike ndërmjet popullit serb dhe popullit shqiptar, madje jemi të gatshëm edhe për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovë-Metohisë”, tha kryeministri serb.

Ndërkaq, më tej, Daçiq ka deklaruar se nuk ka ndodhur “shtrëngim historik” i duarve me kryeministrin Thaçi. “Ky ishte një takim pa kurrfarë protokolli. Nuk ishte i paraparë shtrëngimi i duarve, madje as simbolet shtetërore”, tha ai për B92.

Ai përkujtoi se vazhdimisht mban në setër shenjën me flamur të Serbisë, duke theksuar se edhe Thaçi kishte diçka të ngjashme, me simbolet e Kosovës. /koha/

Lini një koment