Kalo te lënda

Clark: Problemet në veri, pasojë e mospajtimeve në Bruksel

Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, në vizitën e tij në Kosovë ka kritikuar Brukselin për shkak të krijimit të problemeve në veriun e Kosovës nga mospajtimet e vendeve anëtare të NATO-s. Clark të enjten ka theksuar se tani pas 13 vjetësh, populli i Kosovës është duke i përjetuar ndarjet dhe mospajtimet që ishin krijuar brenda NATO-s lidhur me atë se çfarë duhej bërë për çështjen e veriut të Kosovës. “Ky është një problem politik. Ata duhet t`i bëjnë të qarta udhëzimet e tyre të cilat duhet të jepen dhe problemet në veri janë probleme që rrjedhin nga Brukseli”, ka thënë ai.

Për t’u normalizuar situata në tërë Ballkanin, sipas Clarkut, çështjet duhet të zgjidhen në Bruksel, por edhe në Ballkan.

Veprimin e Qeverisë së Kosovës të bërë në korrik të vitit të kaluar  për të shtrirë autoritetin në veri të Kosovës dhe për të rikthyer dy pikat kufitare, Clark e ka përshëndetur, duke thënë se Kosova duhet të shkojë më tej në vendosjen e sovranitetit në tërë territorin e saj.

“Mendoj që është pak e vështirë për mua që të vij nga jashtë dhe të jap këshilla të tilla për këto çështje të ndërlikuara, pajtohesha me strategjinë e qeverisë në vitin e kaluar për të rikthyer autoritetin dhe për të rikthyer dy pikat kufitare në veri, duhet të shkojnë më tej në vendosjen e plotë të sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, dhe unë mendoj se fqinjët tuaj, do ta kuptojnë vendimin tuaj dhe do ta respektojnë atë”, ka theksuar ai.

Ish-gjenerali që ka ardhur në Kosovë në cilësinë e investuesit potencial, ka folur edhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke thënë se Kosova ka resurset e duhura për të tërhequr investitorët e huaj dhe ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të zhvillojë politikat e duhura që t`i tërheqë ata.

Clark ka ardhur në Kosovë, me një projekt ekonomik për të cilin ka thënë se ka disa rreziqe, pasi që ka mbetur të bëhen disa analiza të thëngjillit, për të parë nëse ai është kualitativ.

“Por, bazuar në të dhënat, duket se Kosova është një vend ideal për të investuar me këso lloj projektesh, ne do të hapim vende të reja pune, do të sjellim miliarda dollarë investime, ne do të blejmë shërbimet dhe mallrat nga ekonomia vendore, ne do të ishim përkrahës të të ardhurave për ekonominë vendore. Në qoftë se ky projekt shkon përpara, do t`i sillte Kosovës një zhvillim të madh ekonomik”, ka theksuar ai.

“Ne jemi duke tentuar që të investojmë në Kosovë, dhe tani ju keni resurse natyrore, mes të tjerave dhe thëngjillin dhe shpresojmë që të bëjmë gjënë e duhur me të, në mënyrë që të zhvillojmë këto lloj të ekonomisë. Qeveria duhet të lëshojë leje, të bëjë oferta për investitorët, të krijojë kushte të favorshme ekonomike”, ka thënë ai. Investimi i tij, ka thënë se nuk ka të bëjë me procesin e privatizimit.

“Ajo se çfarë do të bëjmë ne, nuk ka të bëjë me privatizimin që po ndodh në Kosovë, kjo bie në kategorinë e investimeve direkte të huaja. Duam që të bëjmë diçka që do të jetë e mirë për popullin e Kosovës dhe do të sjellë progres në tërë rajonin”, ka shtuar ai.

Gjenerali amerikan në pension Wesley Clark nga shqiptarët konsiderohet si ndër më meritorët  për çlirimin e Kosovës nga regjimi serb. Gjatë fushatës ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe Clark ishte komandant suprem i Aleancës Veriatlantike dhe njihet për këmbëngulësinë e tij që të fuste edhe forcat tokësore në Kosovë për të ndalur fushatën e spastrimit etnik që kryenin forcat serbe ndaj shqiptarëve.

Legjenda: “Ne jemi duke tentuar që të investojmë në Kosovë dhe tani ju keni resurse natyrore, mes të tjerave dhe thëngjillin dhe shpresojmë që të bëjmë gjënë e duhur me të, në mënyrë që të zhvillojmë këto lloj të ekonomisë”, ka thënë Clark

Lini një koment