Ashton takon Thaçin e Daçiqin në Bruksel
Bruksel, 19 tetor – Në selinë e Bashkimi Evropian në Bruksel të premten (sot) do të mund të ndodhte një takim, i cili mund të fitojë epitetin historik, raporton “Koha Ditore”. nëse përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ia arrin qëllimit që të sigurojë një takim, sado të shkurtër, të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq. Një mundësi të tillë e kanë paralajmëruar burimet diplomatike në Bruksel, ndonëse zyrtarisht nga BE-ja nuk është konfirmuar një gjë e tillë, por as nuk është përjashtuar.
Zëdhënësja e Baroneshës Ashton, Maja Kocijançiq, përmes një emaili ka njoftuar gazetarët se të premten Baronesha Ashton do të ketë dy takime bilaterale pasdite në kuadër të „Dialogut të lehtësuar nga BE-ja“, një me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, dhe një me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. “Qëllimi i takimeve është që të diskutohet rruga përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, është thënë në deklaratën e shpërndarë nga zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së.
Disa burime diplomatike në BE kanë pohuar se në rast se realizohet takimi Thaçi-Daçiq, do të shënojë një hap të rëndësishëm në raportet mes “Prishtinës dhe Beogradit”, siç janë shprehur ata. Sipas diplomatëve evropianë, pikërisht për këtë takim që pritet të mbahet të premten, ka qenë me rëndësi që Kuvendi i Kosovës të enjten të nxjerrë rezolutën për mbështetje të dialogut dhe normalizimit të raporteve me Serbinë. Diplomatët të cilët i ka kontaktuar “Koha Ditore” kanë përshëndetur gatishmërinë e Kosovës për këtë dialog, por nuk kanë dashur të komentojnë vetë përmbajtjen e rezolutës.
Vazhdimi i dialogut apo fillimi i dialogut në një nivel më të lartë politik është kërkesë tashmë disamujore e bashkësisë ndërkombëtare dhe madje jo vetëm e Bashkimit Evropian. Edhe NATO-ja, sipas burimeve diplomatike, është shumë e interesuar që sa më parë të ndodhë një dialog i tillë dhe të adresojë problemet e veriut të Kosovës, sepse për shkak të problemeve politike po ngarkohet tej mase edhe operacioni i KFOR-it në veri të Kosovës.
Në BE kanë përkujtuar se në Raportin e fundit të Progresit për Serbinë është bërë e qartë se pa një përparim të dukshëm në raportet me Kosovën, Serbia nuk mund të marrë datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Në anën tjetër, edhe për Kosovën dialogu me Serbinë, sipas zyrtarëve të BE-së, do të ndihmonte për të nisur negociatat për një Marrëveshje eventuale të Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.
Pa marrë parasysh pohimet e disa zyrtarëve të Kosovës se në këtë dialog nuk do të diskutoheshin “çështjet e brendshme të Kosovës”, diplomatët perëndimorë në Bruksel paralajmërojnë se veriu gjithsesi do të jetë pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe madje njëra ndër temat kryesore dhe më të vështira.
Takimi eventual mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij nga Serbia, Ivica Daçiq, nëse realizohet, do të ketë një rëndësi të veçantë edhe për faktin se të dy këta zyrtarë kanë një imazh tejet negativ në shtetin tjetër. Daçiqi në Kosovë mbahet mend si dora e djathtë e Milosheviqit, në kohën kur forcat serbe kanë kryer krimet më të mëdha në Kosovë, ndërsa në Serbi Thaçi është përmendur në akuzat për trafikim organesh.